Politika Berisha: Protesta nuk ka lidhje me mua, mbrojmë Kushtetutën

Berisha: Protesta nuk ka lidhje me mua, mbrojmë Kushtetutën

Nga Gjirokastra, ish-kryeministri Sali Berisha thotë se protesta e së hënës nuk ka lidhje me mbledhjen e Këshillit të Mandateve që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për të ashpërsuar masën e sigurisë ndaj tij.

Në mbledhjen e kryesisë së degës të këtij qyteti, Berisha tha se protesta zhvillohet kundër grushtit të shtetit që sipas tij, qeveria po i bën Kushtetutës dhe se nuk ka lidhje me problemet që ai ka me drejtësinë.

“Nuk protestojmë për personin, por protestojmë strikt për grushtin e shtetit brenda shtetit që po bën Edi Rama duke marrë pushtetin e parlamentit. Këto protesta do të jenë të pandërprera tani. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Ose nënshtrim dhe firmosje që tani të fitores edhe në vitin 2040 të Edi Ramës.”

Berisha tha se krahas protestave në rrugë, protesta do të vijojë edhe në parlament nga deputetët.

“Lëvizja në parlament ka qëllimet e veta. Ajo do vazhdojë, nuk e ka përmbushur akoma misionin, por kjo lëvizje duhet të jetë një lëvizje qytetare.”

Duke folur për kërcënimet e Greqisë për të penguar integrimin e Shqipërisë në BE, Berisha tha se do të kishte bërë të njëjtën gjë nëse do të ishte në vendin e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

“Prishi marrëdhëniet me një vend i cili nuk na ka penguar ndonjëherë në procesin e integrimit. Absolutisht të isha në vend të tij të njëjtën gjë dhe me forcën më të madhe do të bëja.”

Berisha tha se për sa kohë Rama është kryeministër, Shqipëria nuk do të integrohet në BE dhe nuk do të ketë zgjedhjeve të lira.