Politika “Beleri”, Berisha: Mitsotakis po kërkon që të trajtohet si gjithë kryebashkiakët e...

“Beleri”, Berisha: Mitsotakis po kërkon që të trajtohet si gjithë kryebashkiakët e tjerë

Sali Berisha në mbledhjen me kryesinë në qytetin e Gjirokastrës ka vijuar akuzat ndaj qeverisë për vjedhjen e votave. Berisha u shpreh se Partia Demokratike nuk pranon zgjedhjet e vjedhura, por vetëm ato të fituara.

Sali Berisha: Në dhjetëra bashki na u mor mandati. Hymë në një garë më të pabarabartën që mund të bëhej. 61 kandidatët tanë asnjë qindarkë financim nga taksapaguesit shqiptarë. 12 kandidatë të bravës, 1.2 milionë Euro financim, për të mos thënë pastaj të Edi Ramës. Zgjedhjet përfunduan dhe në përfundim të zgjedhjeve në mjedisin ku jetojmë, mediat me urratë e tyre përligjën në një mënyrë apo në tjetër, plaçkitjen, grabitjen dhe dhunimin e votës. Jo vetëm mediat, por dhe një opinion më i gjerë shoqëror, por edhe një opinion brenda nesh.

Gjatë këtij procesi defakto i vdekjes së votës së lirë, koncepti i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, u zëvendësua me konceptin e zgjedhjeve ai vjedh, por fiton. Dhe ju e dëgjoni rëndom këtë koncept. Unë ju them ju, me bindjen më absolute, se zgjedhjet, ose fitohen ose vidhen. Nëse vidhen, nuk fitohen kurrë, por vidhen.

Ndër të tjera gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se mosbindja civile ka patur efekt të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare dhe se shënon një kthesë për Partinë Demokratike.

Sali Berisha: Mosbindja civile është një kthesë për PD, shënon një kthesë shumë të madhe. Nëse përpara PD në situata të tilla bojkotonte parlamentin, kësaj here ajo vendosi të mos e bojkotojë, të mos e lëshojë parlamentin. Faktikisht kjo mosbindje civile në parlament ka patur efekt të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare. Është fituar në opinionin publik botëror një betejë jashtëzakonisht e rëndësishme. Mbarë bota e ka përcjellë së pari, si refuzim të Edi Ramës për tu kontrolluar. Por kjo kudo, për çdo njeri që ka abc e demokracisë dhe pluralizmit është e qartë se kjo është mohim i të drejtave themelore, kushtetuese të vendit. Është grusht shteti.

Nëse sovraniteti i jashtëm ka të bëjë me mbrojtjen e territorit të tij dhe vendimet e pavarura në raport me arenën ndërkombëtare, sovraniteti i brendshëm nuk është asgjë tjetër veç se e drejta e qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e tyre. Ky është ligji.

Në takimin e tij në Gjirokastër Berisha nuk la pa përmendur edhe çështjen “Beleri” ku lideri demokrat u shpreh se ajo nuk është një çështje e Greqisë dhe se po kërkohet që Beleri të trajtohet si kryebashkiakët e tjerë dhe të bëjë betimin.

Sali Berisha: Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian përcaktoi kusht të parë jo vetëm të mos hap negociatat, por të përcaktoj kusht të parë dialogun politik. Ky ishte kartoni i kuq. Sigurisht çështja Beleri kishte peshën e vet, por unë kam detyrim ta trajtoj pak më gjatë këtë problem. Çështja Beleri nuk është një çështje e Greqisë dhe është një mashtrim fund e krye i mafiozit Edi Rama se kjo është çështje e Greqisë. Çfarë po kërkon Mitsotakis?! Po kërkon që Fredi Beleri të trajtohet njëlloj siç janë trajtuar shqiptarët që nga burgu kanë bërë betimin sepse në ligjet e çdo vendi pluralist ai që nuk është dënuar është i pafajshëm deri në dënim. Nëse pretendon se Beleri ka bërë krim ta bëjë betimin dhe dënoje me proces gjyqësor dhe kur të vendoset dënimi merrja mandatin, ky është ligji.