Kjo është ajo që ka mbetur pas shuarjes së flakëve të zjarrit në qendrën tregtare të Lushnjes. Korrespondentja e Klan News, Anila Sefa raporton se banorët nuk lejohen akoma të shohin banesat e tyre, ndërsa zjarrfikësja dhe policia ndodhen në vendin e ngjarjes.
Edhe pse flakët janë shuar që në orën 02:00 të mëngjesit të ditës së sotme, zjarrfikësja vazhdon të hedhë ujë në objekt në zonat ku ka ende nxehtësi.
Gjithçka nisi rreth orës 14:40, në qendrën tregtare që ndodhet mes dy godinave me apartamente banimi. Flakët përfshinë fillimisht katin e dytë dhe të tretë. Është ende e paqartë se çfarë i shkaktoi flakët të cilat përparuan me shpejtësi nëpërmjet hapësirave të ajrimit.
Përhapja e shpejtë e flakëve vështirësoi punën e zjarrfikësve lokalë, për të cilët fillimisht ka qenë i pamundur lokalizimi i flakëve dhe që kërkuan ndihmë nga Tirana dhe qytetet pranë. Në ndihmë të tyre shkuan forca nga kryeqyteti, por edhe Fieri e Patosi. Banorët e kateve të para u evakuuan me të gjitha mënyrat e mundshme, ndërsa u desh ndërhyrja e forcave RENEA për të shpëtuar banorët që kishin mbetur në katet e larta.
Në spital mbërritën 42 persona me probleme në frymëmarrje, nga të cilët 2 ishin fëmijë dhe 8 punonjës të zjarrfikëses. Në orët e mbrëmjes pati disa herë riaktivizim të flakëve në vatra të caktuara, por ato janë vënë nën kontroll nga forcat zjarrfikëse që vijojnë të mbajnë nën kontroll vendin e ngjarjes pasi vatrat mbeten aktive.
Dëmet më të mëdha i ka pasur qendra tregtare, dyqanet e së cilës u shkrumbuan në 2 kate ndërsa struktura ka pësuar dëmtime të mëdha./Tv Klan