Sport “Puna te Manchester City ka përfunduar”, Pep Guardiola ndez merkaton

“Puna te Manchester City ka përfunduar”, Pep Guardiola ndez merkaton

Pep Guardiola ka edhe një vit kontratë me Manchester City-n, por fjalët e tij në prag të ndeshjes me Evertonin kanë hapur një spirale lamtumire nga ‘qytetarët’ pas 8 sezonesh. City sapo ka fituar Botërorin e klubeve, duke shtuar një tjetër trofe në sezonin perfekt, ku u arrit edhe e famshmja ‘Treble’.

“Do të mbetet kënaqësia për atë që kemi bërë, por realiteti, përditshmëria… duhet ta bëjmë sërish. Futbolli të jep disa gjëra dhe të heq disa të tjera, – tha katalanas. – Jam më shumë se i kënaqur për atë çfarë kemi arritur dhe mënyrën si kemi ecur për shumë vjet.

Mendoj sërish për 5 tituj në Premier Ligë, 4 Kupa Karabao, FA Cup dhe të gjitha gjysmëfinalet, ku kemi luajtur vërtet mirë. Por është bukur të shoh tani të 5 trofetë dhe njerëzit që bëjnë foto. Pastaj kupton sa shumë ke punuar dhe çfarë impenjimi ka prapa këtyre trofeve”.

Ndjenja personale pasi ka fituar gjithçka?

“Është bukur dhe kam mendimin se puna vërtet ka përfunduar. Mendoja kur fituam Championsin, por Superkupën nuk e kishim, Botërorin e klubeve nuk e kishim. Tani kemi gjithçka. Tani është momenti që të shkojmë të blejmë një libër dhe të shkruajmë historinë tonë”.

Guardiola ka kontratë edhe për sezonin e ardhshëm me City-n. Ai është një nga trajnerët më të paguar në botë me 22.4 milionë euro në sezon. Në këtë klasifikim mban vendin e dytë, pas Diego Pablo Simeones, me 34 milionë euro në sezon.