Sulmet kibernetike, të cilat janë marrë përsipër nga i njëjti grup hakerash që nxori jashtë funksionit shërbimet publike korrikun e një viti më parë, po vijojnë.
Për rrjedhojë, shumë prej faqeve online qeveritare dhe të institucioneve të rëndësishme shtetërore, në mesin e të cilave edhe Kontrolli i Lartë të Shtetit, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive të Zyrtarëve dhe Tatimeve u hakeruan.
Sulmi kibernetik u pranua nga vetë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit që bën të ditur se sulmet ishin të shpërndara në formatin ‘Distributed Denial-of-Service’ (DDoS).
“Situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë. Theksojmë se sulme të tilla nuk kanë asnjë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike”.
Agjencia nuk bën publike se nga cilat shtete kanë ardhur këto sulme kibernetike, duke theksuar se prej kohësh Shqipëria ka qenë nën vëmendjen maksimale të sulmuesve dhe keqbërësve kibernetikë.
Por sulmi ndaj faqes së Kuvendit disa ditë më parë u mor përsipër nga iranianët e ‘Homeland Justice’, të cilët me anë të një postimi në rrjetin social Telegram pretendojnë se kanë marrë të gjitha të dhënat e Parlamentit.
Ndërsa Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike bëri të ditur se janë grupe ekspertësh së bashku me partnerët ndërkombëtarë po punojnë për menaxhimin e sulmeve kibernetike.
Në vitin 2022, Shqipëria ra pre e sulmeve kibernetike masive në disa institucione, kryesisht ato që ofronin shërbime për qytetarët. Shqipëria bëri përgjegjës Iranin me të cilin ndërpreu marrëdhëniet diplomatike.