Prokuroria e Romës ka kërkuar dënimin me 21 vjet burg për trafikantin shqiptar të drogës Elvis Demçe, i akuzuar për tentativën e vrasjes së Alessio Marzanit, 45-vjeçarit i cili mbeti i plagosur me armë zjarri në 22 tetor 2020.
Prokurorët Mario Palazzi dhe Francesco Cascini kërkuan gjithashtu një dënim me 21 vjet burg për Daniele Gallarello dhe 18 vjet për Alessandro Corvesi, një ish-futbollist profesionist
Sakaq 14 vjet burg u kërkuan për Matteo Costacurta, me origjinë fisnike, i njohur ndryshe nga anëtarët e bandës me nofkën “Princi”.
“Është një grup me një profil me kapacitet shumë të lartë kriminal dhe rrezikshmëri shoqërore”, tha prokurori Palazzi në sallën e gjyqit, i cili i kushtoi një pjesë të aktakuzës së tij Costakurta-s, duke e cilësuar atë si një “personazh shqetësues”.
“Nuk ka nevojë të bëjë krime për arsye ekonomike, ka para dhe familje të mirë, nuk është i mjerë nga periferia, mund të bëjë një jetë të mirë, dhe përkundrazi ai bën krime për qejf, për shijen e tij personale, vesh trikon dhe gjuan. Ai është i pushtuar nga idetë e tij antidemokratike dhe e cilëson veten me krenari si fashist”, tha prokurori.
Shqiptari Elvis Demçe, i lidhur në të kaluarën me mafiozin Fabrizio Piscitelli, alias “Diabolik”, lideri i “Lazio Irriducibili”, i vrarë më 7 gusht 2019 në Parco degli Acquedotti, u arrestua së bashku me Costacurtan dhe Corvesin në korrik të vitit të kaluar nga karabinierët për plagosjen e Marzanit.
Deshifrimi i disa bisedave të koduara me sistemin ‘Sky-Ecc’ dhe të përfshira në një server në territorin francez ishte thelbësor për hetimet nga antimafia të cilët zbuluan veprimtarinë kriminale të grupit.