Extra Inis Gjoni për humbjen e së motrës: Mendimi që do më zgjojë...

Inis Gjoni për humbjen e së motrës: Mendimi që do më zgjojë çdo ditë dhe do ngrysë çdo natë të jetës sime

Inis Gjoni, në një shkrim në Instagram, u shpreh se e motra e ndjerë do të jetë “mendimi që do më zgjojë çdo ditë dhe do ngrysë çdo natë të jetës sime!”

“Sot e shtrenjta motra jonë, Ilda bëri kthimin e fundit për në atdhe, për në familje, për në shtëpi, për tek nëna, për tek fëmijët, pa frymë, por me atë buzëqeshjen dhe sharmin e fytyrës dhe shpirtit më të bukur në botë”, shkruan ajo.

“Njeriu përballet dhe tejkalon shumë sprova në jetë, por dhimbja që solli ikja jote kaq e hershme, na ka dërmuar zemrat dhe trishtuar pa fund, ndjesitë dhe mendimet tona. Çdo orë e këtyre ditëve peshon si gurët e rënda të malit, që hesht dhe dëgjon vetëm vajtimin e një ikje pa kthim. Por na ngroh dielli që ti le pas, fëmijët, punët e mira, vlerësimet aq të vyera të miqve, të afërmve, kolegëve dhe kushdo që të ka njohur dhe ka dëgjuar për ty.”

“Jeta që ti jetove na frymëzon, dashuria, energjia dhe mirësia jote na bënë të ndjehemi kaq shumë krenare që ishim pjesë e çdo dite dhe misioni tënd,” përfundon ajo.

Ilda Gjoni, motra e madhe e Inis dhe Ingrit Gjonit, u nda nga jeta në moshën 49-vjeçare.