Një 38-vjeçar është arrestuar nga policia e Elbasanit, pasi u zbulua se ishte personi që kishte vjedhur një shumë prej 17 mijë euro në banesën e vëllait të tij, në fshatin Bathës.
Policia bën me dije se në lidhje me rastin është proceduar penalisht dhe bashkëshortja e 38-vjeçarit, e cila ka bashkëpunuar në vjedhjen e banesës së kunatit.
Policia ka sekuestruar një automjet që dyshohet se është blerë me shumën e parave të vjedhura.
Vjedhja është kryer më datë 23.04.2023, por u zbardh pas punës hetimore nga ana e policisë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një hetimi disamujor, me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bathës”.
Si rezultat i këtij operacioni u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. M., 38 vjeç, banues në fshatin Bathës, në zbatim të urdhrit të ndalimit nga Prokurori, për veprën penale “Vjedhja”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen K. M., 37 vjeçe (bashkëshortja e shtetasit E. M.).
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, më 23.04.2023, kanë vjedhur 17 000 euro në banesën e shtetasit M. M., në fshatin Bathës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti i shtetasit E. M., të cilin ky shtetas dyshohet se e ka blerë me paratë e vjedhura”, thuhet në njoftimin e policisë.