Aktualitet Me armë në lokale dhe kroskotin e makinave, Balla: Arrogancë e hapur...

Me armë në lokale dhe kroskotin e makinave, Balla: Arrogancë e hapur ndaj komunitetit dhe ligjit, do t’i japim fund

35 vrasje janë regjistruar në Shqipëri gjatë vitit 2023. Në analizën vjetore të Ministrisë së Brendshme, titullari Taulant Balla theksoi se kjo shifër tregon për një ulje të numrit të vrasjeve në krahasim me vitet e mëparshme.

Por një tregues i keq është fakti që nga 35 vrasje, 11 prej të cilave janë krim në familje.

“Kemi patur një rënie të numrit të vrasjeve kriminale gjatë këtij viti, 35 deri më tani në 2023 krahasuar me 107 në vitin 2013 dhe me 124 në vitin 2012. 28 prej këtyre ngjarjeve janë zbuluar. Pothuajse 1/3 e këtyre ngjarjeve kriminale, 11 janë krim në familje. Duke e bërë vitin 2023 si një vit historik për rendin dhe sigurinë”.

E në këtë aspekt, ministri i Brendshëm kërkoi të bëhet më shumë punë nga drejtoritë dhe komisariatet e policisë për krimet e policisë dhe dhunën me bazë gjinore.

“I kam kërkuar drejtorive vendore të policisë dorë të hekurt kundër dhunës më bazë gjinore dhe mbrojtje e mbështetje për viktimat e dhunës. Janë evidentuar 4698 raste të dhunës në familje, me 2030 autorë të identifikuar. 783 prej tyre janë ndaluar, ndërsa 1247 të tjerët janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 2730 kërkesëpadi për urdhra mbrojtjeje/urdhra mbrojtjeje të menjëhershme në favor të të dëmtuarve nga kjo vepër penale”, theksoi ministri i Brendshëm Taulant Balla.

Me armë në lokale dhe kroskotin e makinave, Balla: Arrogancë e hapur ndaj komunitetit dhe ligjit, do t’i japim fund

Armëmbajtja pa leje vijon të jetë një fenomen negativ në Shqipëri që çon në rritjen e ngjarjeve kriminale në vendin tonë.

Kjo vijon të mbetet sfidë për autoritetet shqiptare, e në këtë aspekt, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka shprehur angazhimin për t’i dhënë fund rasteve të armëmbajtjes pa leje në kroskotet e makinave apo nëpër çantat e krahut siç ndodh rëndom në rrugët e Tiranës dhe në rang kombëtar.

“Objektivi im dhe i Policisë së Shtetit në 2024 është për një qasje edhe më të ashpër ndaj çdolloj forme posedimi apo armëmbajtje pa leje. Kjo është një arrogancë e hapur ndaj ligjit dhe ndaj komunitetit. Dhe ne do t’i japim fund çdo lloj shprehje publike të personave të cilët shfaqen në bare, në mjedise publike me armë me vete apo armë të fshehura në kroskotet e makinave apo në vende të tjera”, theksoi ministri i Brendshëm Taulant Balla në konferencën për analizën vjetore të Ministrisë së Brendshme.

Sipas të dhënave vjetore, gjatë vitit 2023 janë sekuestruar 797 armë (401 armë zjarri, 148 armë gjahu dhe 148 armë sportive); 8 mina me telekomandë, rreth 300.4 kilogramë lëndë plasëse,

119 granata dhe municion luftarak.