Aktualitet Kapen 300 kg kokainë në Spanjë, mes pesë të arrestuarve edhe dy...

Kapen 300 kg kokainë në Spanjë, mes pesë të arrestuarve edhe dy shqiptarë

Policia Kombëtare në Spanjë ka vënë në pranga 5 persona mes të cilëve dy shqiptare pasi sekuestroi një sasi prej 300 kilogramësh kokainë. Lënda narkotike u kap pas një ndjekje të policisë deri në një parking në një supermarket në Denia. Si pasojë e ndjekjes u dëmtuan disa makina policie.

Edhe pse të arrestuarit nga kjo ngjarje janë vetëm 2 shqiptarë, mediat spanjolle shkruajnë se është goditur një grup kriminal ballkanik. Hetimet kishin nisur prej disa muajsh pasi autoritetet kishin siguruar informacione rreth një grupi kriminal nga Ballkani, i specializuar në trafikun e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut.

Të martën e kaluar, agjentët zbuluan se të dyshuarit po përgatiteshin të dërgonin një sasi të madhe kokaine të paketuar nëpërmjet një furgoni. Ata u ndoqën nga policia derisa u vërtetuan dyshimet e këtyre të fundit. Shitësit ia lanë furgonin blerësve. Agjentët vijuan që ta survejonin mjetin brenda së cilit ndodheshin dy persona. Një person tjetër i mbështeste me një makinë tjetër dhe lëvizte përpara për t’i paralajmëruar nëse kishte kontrolle policie.

Gjatë largimit shoferi i furgonit është përpjekur që t’i shpëtojë ndjekjes së policisë. Për këtë arsye ata dëmtuan edhe dy makina të policisë. Shoferi i furgonit u përpoq që të largohej edhe me vrap në këmbë, pasi kishte hedhur çelësat e mjetit, por u kap nga policia. Brenda mjetit fshiheshin 300 kilogramë kokainë.