Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka ka reaguar në lidhje me përplasjen me kolegët demokratë, Gazment Bardhi dhe Flamur Noka në Komisionin e Medias.
Gjatë fjalës së saj në një prononcim për mediat, deputetja Açka është shprehur se opozita meriton komisionet hetimore, pasi thotë se kjo është detyrim kushtetues.
Açka shton se parlamenti ka dalë nga aksi dhe e ka menduar si gjest të parë të sajin që opozita ta fillojë vitin mbarë. Deputetja shprehet se kanë muaj që nuk e thonë fjalën e tyre si opozitë.
Flutura Açka: U bëtë pjesë e një shfaqje jo shumë të hijshme për ne deputetët. Ju na keni ndjekur në vijimësi. Kam qenë shumë e qartë që opozita meriton Komisionet Hetimore dhe është detyrim kushtetues. Por, duke parë në vijimësi, parlamenti ka dalë nga aksi, e mendova si një gjest të parë timin ta fillojmë këtë vit mbarë sepse ka disa muaj që ne nuk e themi fjalën tonë si opozitë. Sot përballem me një përplasje dhe keqkuptim me kolegët e mi që mendojnë se duhet ta mbajmë në kaos parlamentin, gjest jo i mirë që të bërtas dhe të mos bëj detyrën time që të ju them shqiptarëve se ku e ka plagën kjo qeveri. Kjo ka qenë arsyeja që kam vendosur në iniciativën time që këtë sesion ta hapim me mbledhje publike dhe të bëjmë opozitë të ndershme duke thënë fjalën tonë.
Deputetja Açka i ka bërë thirrje kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit që t’i drejtohet SPAK-ut për të gjitha aludimet në drejtim të saj apo kolegëve demokratë që thonë se kanë vendosur që të kthejnë normalitetin në parlament.
Flutura Açka: Kam keqardhje sepse lidhet me kolegët tanë që kanë vendosur të prishin seanca. Keqardhjen më të madhe e kam për aludimet e hapura, kështu që jam e detyruar që t’i bëj thirrje publike Bardhit dhe kujtdo që mendon dhe insenuon në raport me mua dhe me kolegë të tjerë, të cilët kanë vendosur për normalizimin e këtij parlamenti, t’i drejtohen SPAK-ut dhe organeve kompetente. Çfarëdo iluzioni që mund të krijohet nëpërmjet lajmeve fake, janë shumë të dëmshme, sidomos në kampin opozitar. Ne kemi detyrë të themi fjalën tonë. Unë kam keqardhje të madhe që nuk munda të përfshihem në buxhet katastrofik që shqiptarët nuk e morën vesh kurrë.