Politika Drejtorja e kabinetit e DPSHTRR emërohet zv.ministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Drejtorja e kabinetit e DPSHTRR emërohet zv.ministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Lira Pipa është emëruar zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Vendimi është marrë sot nga Këshilli i Ministrave dhe hyn në fuqi menjëherë. Më parë Pipa ka mbajtur detyrën e drejtores së Kabinetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Znj. Lira Pipa emërohet zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Gjatë viteve 2016 – 2019, ajo ka punuar si specialiste pranë Drejtorisë së Komunikimit Publik, në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit. Në këtë pozicion, është angazhuar me përgatitjen e materialeve për publikime dhe mirëmbajtjen e rrjeteve sociale, planifikimin dhe implementimin e strategjive të Medias Sociale dhe Planit të Medias, promovimin e aktiviteteve dhe eventeve të Agjencisë, si dhe realizimet grafike të përshtatshme për publikime të ndryshme.

Nga viti 2019, Lira Pipa i është bashkuar stafit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në pozicionin e Drejtorit të Kabinetit.