Bota Derrat e egër hibridë i kanë kthyer në ferr fushat e fermerëve...

Derrat e egër hibridë i kanë kthyer në ferr fushat e fermerëve kanadezë

Në atë kohë dukej një ide e mirë. Kur fermerëve kanadezë të derrave iu tha në vitet 1980 se grupi i gjeneve të kafshëve të tyre nuk ishte i fortë, ata iu drejtuan derrave të egër nga Britania për ‘fuqizim’, duke i kryqëzuar me një lloj të përmirësuar të derrit shtëpiak. Kjo dha një krijesë më të gjatë, me një brinjë shtesë dhe me më shumë mish. Më pas, në vitin 2001, tregu i mishit të derrit ra. Disa fermerë, të paaftë për të shitur stokun e tyre, thjesht i lëshuan derrat e tyre hibridë në natyrë.

Sot pasardhësit e këtyre derrave bredhin në provincat kanadeze, një turmë prej rreth 62,000 kafshësh. Ata riprodhohen dhe janë përshtatur mirë, për t’i bërë ballë dimrave ekstremë, kanë gëzof të trashë dhe këmbë të gjata, që i lejojnë të kalojnë nëpër dëborë. Dhëmbët e tyre janë të mprehta si thika. Një derr i kapur peshonte më shumë se 280 kg.

Ata janë omnivorë ‘shkatërrues’, oportunistë, të cilët ushqehen duke futur feçkën e tyre në tokë në kërkim të ushqimit. Disa fermerë kanadezë tani jetojnë me frikën se tufa e derrave mund t’ju sulet të korrave. “Ata janë superderra”, thotë Ryan Brook nga Universiteti i Saskatcheuan. Kafshët janë të adaptueshme dhe të zgjuara. Ata kanë mësuar, për shembull, të gërmojnë për të gjetur ushqimin. Derrat në dimër gërmojnë edhe tokën, me qëllim që të jenë 1 metër nën tokë, për t’u mbrojtur nga moti ekstrem.

Deri më tani, programet e menaxhimit të kafshëve të Kanadasë nuk i kanë bërë dot ballë pjellorisë së madhe të superderrave, duke hequr vetëm 300 prej tyre në vitin 2023. Z. Brook thotë se heqja qafe e specieve, edhe dhjetë herë më shumë, nuk do të mjaftonte për të mbajtur nën kontroll superderrat.

Në fakt, ka aq shumë nga këta derra, sa shumë prej tyre kanë shkuar edhe përtej kufirit në jug. Lori Stevermer, nga Minesotani, e cila u rrit në një fermë derrash, u martua me një fermer derrash dhe tani është anëtare e bordit të Këshillit Kombëtar të Prodhuesve të Derrit, thotë se shkalla e problemit të superderrit në Kanada u bë e qartë për të vetëm vitin e kaluar.

Fermerët dhe prodhuesit e derrit në Shtetet e Bashkuara veriore janë të shqetësuar për dëmtimin e të korrave të tyre dhe potencialin që tufat e derrave të egër të jenë një arsye për përhapjen për gripin afrikan të derrit. Një shpërthim i gripit mund t’i kushtojë industrisë vendase të derrit 7.5 miliardë dollarë nga shitjet e saj vjetore, sipas një studimi të fundit nga Universiteti Shtetëror i Ioua.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë një problem me derrat e egër, por në jugun e ngrohtë. Ajo që shqetëson John Tomecek, kryetar i Task Forcës Kombëtare të Derrave të Egër në Teksas, është se fiziologjia e tyre në fakt është më e përshtatshme për motin e ftohtë. Kjo e bën llojin e ri të derrit, që zbret nga pyjet në shtetet e ftohta veriore, një shkak për shqetësim serioz. /The Economist