Opinione Netanyahu donte të ndante palestinezët, por ndau izraelitët

Netanyahu donte të ndante palestinezët, por ndau izraelitët

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu donte të mbante gjallë Hamasin për të parandaluar një shtet palestinez. Që nga sulmi terrorist i 7 tetorit, Izraeli është përballur me dobësitë e këtij plani.

Në konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve, qasja e kryeministrit Benjamin Netanyahu është të ruajë status quo-në me çdo kusht. Kjo është në kundërshtim me fjalimin e tij kryesor në Universitetin Bar-Ilan, në të cilin ai ra dakord në parim për krijimin e një shteti palestinez në vitin 2009. Megjithatë, veprimet e tij tregojnë se ai dhe qeveritë e tij janë më të interesuar në ruajtjen e konfliktit ndër-palestinez midis Hamasitdhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) – edhe me çmimin e mbajtjes së Hamasit gjallë.

Hamasi është një grup militant islamik palestinez që dëshiron të eliminojë shtetin e Izraelit. Gjermania, Bashkimi Evropian, SHBA dhe disa shtete arabe e klasifikojnë atë si organizatë terroriste.

Sipas faqes së internetit konservatore të krahut të djathtë Mida, Netanyahu i tha partisë së tij Likud në 2019 se ata duhet të lejojnë Hamasin të marrë mbështetje financiare nga Katari – ky është një faktor kyç në parandalimin e një shteti palestinez. “Kjo është pjesë e strategjisë sonë: të krijojmë një ndarje midis palestinezëve në Gaza dhe Bregun Perëndimor,” tha ai.

Vitet e fundit, pjesë të mëdha të shoqërisë izraelite kanë qenë relativisht indiferente ndaj veprimeve të kreut të qeverisë. Megjithatë, që nga 7 tetori situata ka ndryshuar.

Ndryshimi i konceptit: nevojiten qasje të ndryshme

Një nga shprehjet më të përdorura që nga tmerri i sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor është “shinui konsepcia”, ​​që do të thotë “ndryshim konceptual”. Njerëzit presin zgjidhje të ndryshme nga ato që aktorët në të dyja anët e spektrit politik u kanë ofruar më parë. Netanyahu ende nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje.

Duhet thënë: Siç ka thënë tashmë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pjesë të mëdha të shoqërisë izraelite aktualisht nuk besojnë se ka ndonjë zgjidhje për konfliktin.

Izraelitët liberalë dhe të majtë po bëjnë thirrje për zgjedhje – ata duan që Netanyahu të zëvendësohet. Qeveria me anëtarët e saj të ekstremit të djathtë, po përpiqet të përdorë luftën për të rindërtuar vendbanimet izraelite që u evakuuan kur Izraeli u tërhoq nga Rripi i Gazës në 2005.

Vetë Netanyahu ka thënë vazhdimisht se Izraeli nuk ka ndërmend ta bëjë këtë. Partnerët e tij të koalicionit, nga ana tjetër, të udhëhequr nga ministri ekstremist i djathtë për Sigurinë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, po bredhin nëpër studiot televizive dhe po bëjnë thirrje për një të ashtuquajtur “eksod vullnetar” të palestinezëve nga Rripi i Gazës.

Netanyahu nuk e ka nën kontroll qeverinë e tij

Ngritja e Ben-Gvir tregon gjithashtu se sa shumë Netanyahu ka humbur kontrollin mbi qeverinë e tij. Më parë, të gjitha partitë e tjera politike – duke përfshirë Likud – kundërshtuan qartë elementët radikalë të së djathtës izraelite. Pastaj Netanyahu mbështeti publikisht Ben Gvir, figurën më të shquar të krahut të djathtë, për të siguruar mbijetesën e tij politike. Në këtë mënyrë, ai i dha legjitimitet politik një njeriu që ishte dënuar ligjërisht për mbështetje të një organizate terroriste.

Sondazhet tregojnë se mbështetja për Netanyahun po zvogëlohet – ndërsa partia e ekstremit të djathtë Otzma Jehudit e Itamar Ben Gvir ndoshta mund të fitojë edhe më shumë vende në parlament sesa gjashtë sa ka deri tani.

Çfarëdo që të ndodhë, shoqëria izraelite pas 7 tetorit do të jetë shumë, shumë e ndryshme nga ajo para tij, politikisht dhe në aspekte të tjera, ajo do duhet të vlerësojë deklaratat e fundit të Netanyahut se Izraeli duhet të ushtrojë kontrollin e sigurisë në Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës.

Vendi i Netanyahut në histori do të përcaktohet nga përgjigjet në dy pyetje: A është Hamasi ende një kërcënim për Izraelin? Dhe a mund të kthehen të sigurt pengjet izraelitë? Netanyahu është kryeministri më jetëgjatë i Izraelit dhe ai shpesh ka thënë se dëshiron të mbahet mend si “mbrojtësi i Izraelit”. Por nëse qeveria e tij dështon të arrijë qëllimet që i përkrah publikisht, trashëgimia e tij do të jetë se ai filloi luftën e parë që humbi vendi./DW