Aktualitet Gjykata Kushtetuese pranon pjesërisht kërkesën e studentëve të Mjekësisë

Gjykata Kushtetuese pranon pjesërisht kërkesën e studentëve të Mjekësisë

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht ligjin për studentët e mjekësisë. Kushtetuesja e konsideron të ashpër ligjin që i detyronte studentët që të punonin 5 vite brenda vendit. Duke qenë se ligji prekte dhe studentët që vijojnë studimet në Universitetin e Mjekësisë me nga 2 dhe 3 vite detyrim punësimi në Shqipëri, Gjykata ka kërkuar edhe rishikimin e tyre.

“Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot, më 25.01.2024, vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës. Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës. Megjithatë gjatë procesit nuk u provua se kufizimi është proporcional në drejtim të afateve dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së detyrimeve për punësim, pasi afati 5-vjeçar i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që  të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen”, njoftoi gjykata.

Kushtetuesja i ka dhënë afat parlamentit të bëjë ndryshimet e nevojshme brenda 3 muajve. Në këtë mënyrë, për shkak edhe të vendimit, hiqet edhe masa e pezullimit.

Masa e pezullimit e vendosur nga Gjykata në datën 14.11.2023 hiqet për shkak të vendimmarrjes së sotme. Duke pasur në konsideratë që, nga njëra anë, ligji në tërësinë e tij duhet të fillojë të prodhojë efekte para përfundimit të këtij vitit akademik, por, nga ana tjetër, dispozitat që duhen shfuqizuar i bëjnë të pazbatueshme marrëveshjet me studentët, Gjykata vlerësoi t’i caktojë Kuvendit detyrimin që brenda 3 muajve të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore”, njoftoi gjykata.

Ky ligj u kundërshtua nga studentët. Ai u miratua në korrik të këtij viti si masë për të frenuar largimin e mjekëve nga Shqipëria.