Aktualitet Kanal televiziv i dedikuar, bibliotekë e muze! Këshilli i Ministrave miraton projektligjin...

Kanal televiziv i dedikuar, bibliotekë e muze! Këshilli i Ministrave miraton projektligjin për diasporën

Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin “Për diasporën” ku detajohen rregullat dhe kompetencat e autoriteteve shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën.projektligji parashikon ndër të tjera krijimin e Qendrave Kulturore për Diasporën që do të ushtrojnë veprimtarinë në vendet me interes për diasporën e Republikës së Shqipërisë të cilat do të hapen në marrëveshje me këto vende.

Po ashtu parashikohet që në Muzeun Historik Kombëtar të themelohet një pavion i veçantë për diasporën ndërsa Biblioteka Kombëtare, në bashkëpunim me ministritë përgjegjëse për arsimin dhe kulturën, do të mundësojë aksesin në fondin e librave on-line, pa pagesë, për edukimin dhe letërsinë, dedikuar interesave të diasporës.

Ndërkohë, Radio-televizioni Shqiptar do të sigurojë një kanal transmetimi me program radioteleviziv për diasporën. Shpenzimet për prodhimin e programeve të dedikuara për diasporën dhe transmetimin do të përballohen nga buxheti i shtetit.

Për pjesëtarët e suksesshëm të diasporës do të akordohet çmimi “Ambasador i Kombit”. Kriteret dhe mënyra e ndarjes së çmimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ndërkohë, data 18 dhjetor caktohet si Dita Kombëtare e Diasporës.