Gazetari italian Roberto Saviano, i ka përshkruar grupet kriminale shqiptare dhe ato italiane si të bashkuara në një të vetme. Në podcatin ‘Public Square’, me ish-ministrin Ditmir Bushati, Saviano tha se vendi ku kriminaliteti shqiptar është më i fortë se kudo, është Londra. Sipas gazetarit të librit “Gomorrah”, Mbretëria e Bashkuar është vendi me zgjedhje për grupet kriminale shqiptare dhe aty krimi shqiptar operon në autonomi të plotë.
“E ndiej të them se vendi ku kriminaliteti shqiptar është më i fortë se kudo, është Londra. Mbretëria e Bashkuar është vendi me zgjedhje për grupet kriminale shqiptare dhe aty krimi shqiptar operon në autonomi të plotë. Ajo që më çudit sa herë që kam të bëj me botën shqiptare, që e dua shumë, apo madje kur shkoj në Shqipëri, është të dëgjoj se për mafien shqiptare flitet shumë më shumë jashtë sesa në Shqipëri. Shumë më shumë jashtë se në Kosovë. Sepse e gjitha kjo, krimi i organizuar kosovar dhe shqiptar si dhe krimi shqiptaro-maqedonas është shumë i fortë. Shqipëria e Madhe nuk u arrit në politikë, por u arrit me krimin. Të gjithë këta elementë, për fat të keq, ceken pak. Mjafton të shohësh publikimet mbi mafien shqiptare. Janë shumë të pakta”, tha Saviano.
“Duhet kujtuar se për shembull, një nga grupet më të famshme shqiptare, i përfolur ne media, e që besoj tani është në krizë të madhe ‘Kompania Bello’, e njëherësh një nga grupet kriminale më të fuqishme në vitet e shkuara, e kishte qendrën e vet operative në Ekuador. E kishte qendrën ne vet operative në Ekuador, pikërisht për të organizuar trafikun e kokainës me Mbretërinë e Bashkuar”, tha Saviano.
Gazetari italian është deklaruar edhe për lidhjen në mes të mafias italiane dhe asaj shqiptare.
“Marrëdhënia e mafies shqiptare me mafiet italiane është si një grusht i vetëm. Janë gati e njëjta gjë. Themi gati, pasi, përshembull, në Mbretërinë e Bashkuar krimi i organizuar shqiptar operon në autonomi të plotë. Por në SHBA, mafia shqiptare është bërë plotësisht pjesë e karteleve italiane”, tha tutje ai.
Ai foli edhe fillimin e anëtarësimit të shqiptarëve në organizata kriminale italiane.
“Deri në vitet e ‘90 dhe ndoshta edhe më tutje, do të thosha deri në vitin 2000, ishte e pamundur të hyje në ‘Cosa Nostra America’ pa pasur gjak italian nga të dy prindërit. Më pas filluan të anëtarësojnë mafiozë apo burra të fjalës e që për ‘kodin e nderit’ edhe vdesin edhe vetëm duke pasur nënën italiane. Më pas filluan të anëtarësojnë edhe duke pasur vetëm babanë italian dhe tani pranojnë në organizatë edhe shqiptarë”, ka thënë ai.
Saviano ka treguar edhe evoluimin e mafias shqiptare.
“Evolucioni i mafias shqiptare, i detyrohet shumë trafikut të armëve, gjë që, për shembull nuk e ka ndikuar shumë për përfytyrimin e vet shqiptarëve, ndikon trafiku i prostitucionit, vjedhjet në shtëpi, ndikon shpërndarja e lëndëve narkotike në rrugë. Të gjitha gjërat që organizatat shqiptare nuk i bëjnë më. Po një lloj aktiviteti të prostitucion vazhdojnë ta bëjnë, por gjithnjë e më shumë duke e deleguar, tani marrin para nga të tjera që i organizojnë. Vjedhjet në shtëpi janë zero”, tha ai.
“Organizatat shqiptare shesin armë. Në Itali ka të dhëna të publikuar qa disa kohë më para që tregojnë se i gjithë trafiku i armeve të paligjshme është Shqipëri-Itali”, tha ndër të tjera ai.
Saviano foli mbi çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me konceptin e tij për lirinë, prej së cilës ai është i privuar prej 18 vitesh, pas denoncimeve për raportet mes mafias shqiptare dhe asaj italiane.
“E kuptova çfarë është liria duke e humbur. E humba lirinë në moshën 26-vjeçare kur shkruaja ‘Gomorrah’ dhe sot jam 44 vjeç dhe jam ende nën mbrojtje. Po të kthehesha nuk do ta bëja”, tha Saviano.
Roberto Saviano është shprehur mjaft kritik për protokollin e bashkëpunimit mes dy qeverive për refugjatët dhe mendon se kjo bie ndesh me liritë e të drejtat e njeriut dhe jo vetëm. Ai renditi disa probleme duke nisur nga ato juridiksionale, por u ndal dhe tek mësimet që Shqipëria ka mundësinë të nxjerrë nga Italia në këtë pikë.
“Pra që, juridiksioni italian do të shtrihej në një territor ekstra-europian, thjesht përmes shtrëngimit të duarve mes kryeministrit Rama dhe kryeministres Meloni. Kjo do të thotë se në ato qendra nuk do zbatohen ligjet shqiptare, por ato italiane. Të tjera problematike paraqet kjo marrëveshje edhe në raport me përzgjedhjen e refugjatëve që do të sillen në Shqipëri, kush dhe si ua garanton të drejtën për mbrojtje ndërkombëtare dhe së fundmi si do të mbrohemi nga organizatat kriminale?”- tha gazetari.
“Shqipëria duhet t’i thotë lamtumirë heshtjes, pra frikës për të folur. Pra, institucionet shqiptare druajnë se mund ta rëndojnë këtë paragjykim, të përkeqësojnë gjendjen e emigrantëve duke folur për krimin. Është e kundërta. Paragjykimi luftohet”, shtoi ai.
Në kohën kur zhvillimi teknologjik ka nxjerrë fort në pah garën për klikime, apo kur e vërteta alternative është ulur këmbëkryq mes nesh, Saviano dhe Bushati diskutojmë mbi konceptin e “makinerisë së baltës” dhe sesi ajo e dëmton individin qoftë edhe kur bëhet fjalë për kauza të rëndësishme të interesit publik por që prek dhe dëmton mbi të gjitha demokracinë.
“Makineria e baltës dhe delegjitimimi sot është mjeti më i parë për të sulmuar individët. E përdor mafia, regjimet por edhe kompani të zakonshme, parti normale në demokraci, gazetat. Dhe shpesh njerëzit bëhen mjet, vegël e makinerisë së baltës, pa e ditur. Përhapin informacion false kundër një personi, duke mos e lënë të marrë frymë një individ, pa arsye”, thotë Saviano.