Pas rihapjes së dosjes hetimore ndaj kompanisë kanadeze “Banker’s Petroleum” për dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i fontanave të gazit natyror në Marinzë të Fierit më 1 Prill të vitit 2015, është caktuar një grup ekspertësh të pavarur që do të vlerësojnë dëmet e shkaktuara me qëllim konstatimin e përgjegjësve të katastrofës mjedisore. Ndërkohë, mësohet se rreth dy muaj më parë, organi i akuzës u ka komunikuar rinisjen e procedimit penal ish drejtorit të përgjithshëm të “Banker’s”, Leonidha Çobo dhe gjashtë shtetasve të huaj që punonin për këtë kompani e për shoqëritë nënkontraktore.
Burime të prokurorisë kanë pohuar se, me qëllim shmangien e ndonjë anshmërie të mundshme, ekspertët e pavarur të përzgjedhur janë pedagogë të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave pranë Universitetit të Tiranës. Burimet theksojnë se do të jenë pikërisht konkluzionet e grupit të ekspertëve të pavarur që do të vendosin për fatin e mëtejshëm të hetimeve lidhur me shpërthimet e ndodhura në Marinzë të Fierit dy vjet më parë. Mësohet se ekspertëve u është kërkuar që të nxjerrin konkluzion përfundimtar për të dyja dosjet hetimore të mëparshme, si për shkaktimin e lëkundjeve të tokës, ashtu edhe për shpërthimin e fontanës së gazit.
Pavarësisht se gjatë hetimeve të mëparshme, ekspertët dolën në përfundimin se shpërthimet ndodhën për shkak të pakujdesisë dhe mos respektimit të të gjithë rregullave teknikë gjatë kryerjes së shpimit, dosja u mbyll për t’u rihapur disa muaj më vonë.
Sipas raportit të atëhershëm të ekspertëve të gjeologjisë, procesi i nxjerrjes së naftës gjatë viteve të fundit në zonën e Marinzës ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në shtresat nëntokësore, duke i bërë ato të paqëndrueshme. Mësohet se në raport theksohej fakti se, shpimet horizontale kishin devijuar disa herë nga këndet në të cilat duhej të kryheshin, duke sjellë pasoja të rënda për nëntokën. Ekspertët ngritën atëherë dyshimet se dëmet e shkaktuara në shtresat nëntokësore arrijnë deri në dy mijë metra thellësi dhe mund ta bëjnë terrenin sipërfaqësor të paqëndrueshëm në të ardhmen. Disa muaj më parë, Prokuroria e Fierit rinisi procedimin penal ndaj drejtorit të përgjithshëm të kompanisë “Banker’s Petroleum” dhe gjashtë drejtuesve e teknikëve të dy kompanive të tjera nënkontraktuese, që të gjithë me shtetësi të huaj, të cilët kanë kryer e menaxhuar punimet e shpimit të pusit P29A në Marinzë të Fierit. Prokuroria njoftoi atëherë se personat nën hetim ishin: ish drejtori i përgjithshëm i “Banker’s Petroleum”, Leonidha Çobo, Lane Gardipee, në atë kohë me detyrë supervizor shpimi për operacionet ditore të sondës 504, Wayne Gaunt, me detyrë menaxher për operacionet e shpimit në “Banker’s”, Steve Hrushka, menaxher i sondës së shoqërisë “Simmons” në pusin 5761; Mike Davy, përgjegjës për mbikqyrjen e operacioneve të ekipit të shpimit i “Simmons”, Frenc Lazlo, supervizor i operacioneve të çimentimit, i shoqërisë “Rotary” dhe Tibor Vargon, inxhinier po i operacioneve të çimentimit.
Në raportin e hartuar atëherë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë(MEI) së bashku me AKBN-në dhe “Albpetrol”, evidentoheshin shkaqe kryesore që çuan në shpërthimin e fontanës. Sipas prokurorisë, shkaku kryesor ishte mos montimi i linjës së dytë të mbrojtësve, pavarësisht se ishin të parashikuara në projekt. Një tjetër shkak rezultonte të ishte krijuar nga personeli i sondës që menjëherë pas shpërthimit të fontanës kishte lejuar rritjen e presionit të gazit. Në raport evidentohej fakti se, kompania në fillim kishte menduar se kishte të bënte me gaz hidrokarbur dhe kishte zbatuar të gjitha procedurat standarde për këtë fushë naftëmbajtëse. Por, nga matjet e kompanisë “Bankers Petroleum” rezultoi se gazi i çliruar ishte gaz karbonik, që nuk është shoqërues i naftës dhe prania e tij nuk është karakteristikë e kësaj zone naftëmbajtëse. Sipas grupit të punës, “Banker’s” nuk kishte studiuar paraprakisht historikun e puseve përreth, të shpuar më përpara nga kompania “Albpetrol”, duke neglizhuar këtë informacion shumë të rëndësishëm.
Gjithashtu, nga verifikimet u konstatua se solucioni argjilor izolues i përdorur në pusin ku ndodhi shpërthimi, nuk ishte në parametrat e duhura për të mbytur fontanën. Si pasojë e shpërthimit u shkatërruan qindra banesa dhe dhjetëra hektarë tokë bujqësore. Gjithashtu u shkatërruan edhe shtresat nëntokësore dhe si pasojë e çlirimit të gazit karbonik në ajër, dhjetëra banorë patën shqetësime të ndryshme shëndetësore. Banorët vazhdojnë të kërkojnë dëmshpërblim. Vetëm një javë më parë ata debatuan me Gramoz Ruçin gjatë takimeve elektorale të këtij të fundit për zvarritjen e procesit të kompensimit të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimet.