Sa më shumë afron Euro 2024, aq më shumë rritet interesi për listën zyrtare të trajnerit të Kombëtares shqiptare, Silvinjo. Sepse pritet ndonjë risi, siç mund të jetë sulmuesi Rei Manaj, i cili mungoi gjatë fazës kualifikuese.
Lojtari me origjinë nga Lushnja, i rritur sportivisht në Itali, kohët e fundit po tregon një formë shumë të mirë në Turqi, me fanellën e Sivasporit. Jo vetëm se ka shënuar sistematikisht. Trajneri brazilian sigurisht që e ka në konsideratë dhe gjatë turit turk ka pasur në plan një takim me sulmuesin.
Në Turqi në fakt janë të bindur se Manaj do të jetë pjesë e Europianit të verës në Gjermani. Drejtuesit e Sivasporit gjykojnë me logjikë se me formën që ka, sulmuesi i tyre nuk ka si të mungojë në Europian, një event që mund të shërbejë edhe si një vitrinë më e mirë për futbollistin.
Për Manajn, sipas drejtuesve të Sivasporit, ka qenë tani oferta të mira, por klubi ka vendosur të presë verën për të përfituar më shumë financiarisht. Aq i madh është besimi për Manajn, saqë ai shihet si një mundësi për të vendosur rekord në merkaton në dalje.
Nëse Manaj vazhdon me këtë ritëm deri në qershor, me siguri që trajneri Silvinjo nuk do ta injorojë. Mbetet të shihet pastaj se vendin e cilit lojtar mund të zërë sulmuesi në listën zyrtare të Euro 2024.