Aktualitet Tritol nga Kosova në Shqipëri/ Shpallet në kërkim ‘koka e grupit’ dhe...

Tritol nga Kosova në Shqipëri/ Shpallet në kërkim ‘koka e grupit’ dhe një 25-vjeçare

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim Dritëro Azemin nga Kosova, i cili dyshohet se është koka e një grupi kriminal që ka trafikuar drejt Shqipërisë 203 kallepë tritoli me peshë 46 kg në total. Azemi është një emër i njohur për drejtësinë, pasi në datën 7 prill të vitit 2022 plagosi me armë zjarri në një lokal nate në periferi të Tiranës Shpëtim Metalian. Në lidhje me këtë ngjarje ai u akuzua për plagosje e rëndë me dashje, prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve.

Ndërkohë, tashmë ai është në sërish në kërkim për trafik ndërkombëtar të armëve dhe eksplozivëve.

Në kërkim është shpallur dhe një 25-vjeçare nga Kosova, Flaka Abdullahu. Emrat e tyre dolën në skenë pas dëshmisë së 3 të arrestuarve Rigon Maliqi, Lion Pira dhe Shkëlqim Halabaku. Këta të fundit pranuan dhe zbërthyen me detaje në dëshminë e tyre mënyrën sesi kishin arritur që të fusnin në territorin e Shqipërisë 203 kallëpet e tritolit, të ndara në dy valixhe dhe të futura në kartonë lëngjesh frutash.

Grupi hetimor ka dyshime të forta se këta persona kanë lidhje të forta me bandat kriminale në qytetin e Shkodrës. Për këtë kanë nisur hetimet për të zbardhur disa ngjarje kriminale me tritol të shënuara gjatë kohëve të fundit në qytetin verior ku pikërisht dyshohet se 5 shtetasit nga Kosova janë të përfshirë.

Jo vetëm në Shkodër, por edhe në Tiranë ka dyshime se ky grup kriminal të ketë siguruar lëndët që janë përdorur në disa atentate dhe ngjarje të tjera të rënda.

Ndërkohë, në një reagim të tijin, ministri i Brendshëm Taulant Balla u shpreh i keqardhur për publikimet në mediat e Kosovës lidhur me operacionin e Policisë së Shtetit.

“Operacioni është plotësisht i dokumentuar dhe informoj me këtë rast opinionin publik në Kosovë se, citoj: Në datë 4 shkurt 2024, në orën 22.38, Salla Operative e Tiranës i ka dërguar informacion Sallës Operative Kukës se një mjet me targa të Kosovës, nëse konstatohej duhej ndaluar për shkak të një hetimi në ndjekje e sipër. Në ora 00:30, në Pikën e Kontrollit të vendosur në “Rrugën e Kombit”, Policia e Kukësit ka identifikuar mjetin tip “BMW”, ku pasagjer në vendin e parë ndodhej shtetasi kosovar Liron Pira, i shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Pas mjetit të parë tip “BMW” me targa të Kosovës, objekt kontrolli, ishte edhe një automjet i dytë tip “Skoda”, i cili nga intervistimi i pasagjerëve, rezultoi se udhëtonin së bashku. Automjetet së bashku me personat u shoqëruan në ambientet e DVP Kukës për verifikime të mëtejshme duke zbatuar procedurat standarde të shoqërimit. Punonjësit e Policisë u kanë bërë me dije arsyet e verifikimit dhe shoqërimit, në bazë të kërkesës nga DVP Tiranë. Theksojmë se drejtuesi i mjetit ka pranuar dhe nuk ka kundërshtuar për asnjë moment punonjësit e policisë. Shërbimet e DVP Tiranë kanë udhëtuar drejt DVP Kukës menjëherë sa kanë marrë njoftim, dhe kanë marrë shtetasit e shoqëruar dy automjetet e lartpërmendura, duke kryer veprimet administrative sipas procedurës standarde të Policisë Shtetit”, përcjell Balla.

Ministri po ashtu sqaron se “sa i takon pretendimeve të ndonjë prej artistëve të trupës së përfshirë në objektin e operacionit, për keqtrajtim nga ana e Policisë së Shtetit, informoj se AMP ka nisur hetimin lidhur me këtë. Por pretendimi për orët e tepërta mbajtjes në polici të tyre nuk qëndron, përkundrazi Policia e Shtetit ka vepruar shumë më shpejt se sa afati standard i verifikimeve, pikërisht sepse ka pasur parasysh statusin e aktorëve të ndodhur në vendngjarje. Të cilët sidoqoftë nuk mund të liheshin të lirë pa u bërë të gjitha verifikimet. Së fundmi keqardhja mbetet dhe bëhet edhe më e madhe, kur në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë”.