“Kam shpëtuar për mrekulli”, kështu është shprehur Selami Brahimi në dëshminë e dhënë para efektivëve të policisë së Shkodrës. Ai mbeti i plagosur një natë më parë nga breshëria e plumbave që u lëshuan në drejtim të tij, teksa po hipte në makinën e tij që e kishte parkuar përballë këtij dyqani.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17:55, në lagjen 10 Korriku, për shkaqe deri më tani të panjohura. Në dëshminë e tij, Brahimi ka pohuar se nuk ka mundur të shohë asgjë dhe ka mohuar të ketë konflikte me njeri.
“Unë sapo lashë mbesën time tek një punonjës që është afër picerisë. Sapo jam ulur poshtë më kanë qëlluar. Kam shpëtuar për mrekulli sepse në atë moment jam kthyer dhe plumbi më kapi fytyrën sepse ndryshe mund të më kishin qëlluar në kokë. Nuk kam arritur që të shoh asgjë. Nuk kam asnjë problem me askënd dhe nuk e di kush mund të jenë autorët. Po ashtu nuk kam arritur që të shoh asnjë makinë apo mjet tjetër të autorëve. Nuk kam pasur asnjë kërcënim apo problem ndaj nuk e kam idenë se kush më ka qëlluar dhe për çfarë arsye”, mësohet të ketë thënë i plagosuri.
Brahimi u dërgua menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia vijon hetimet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.
Të shtënat krijuan jo pak panik në zonën ku ndodhi ngjarja. Qytetarët të tmerruar tentuan të gjenin strehë të frikësuar nga plumbat që u lëshuan në mes të rrugës.
Kreu i policisë së Shkodrës, në një reagim të bërë mbrëmjen e shkuar, tha se përveç dëshmisë së të plagosurit dhe dëshmitarëve, janë marrë edhe kamerat e sigurisë në zonë, me qëllim zbardhjen e ngjarjes.