Renato Nasto, 1 nga 5 të arrestuarit dy ditë më parë për mashtrim me vizat amerikane, deklaroi para Gjykatës së Tiranës se nuk ka kryer asnjë shkelje, por ka ndihmuar qytetarët me aplikimet për vizat amerikane duke u marrë pagesën në përfundim të procedurave.
“Nuk kam kryer asnjë shkelje të ligjit, kam ndihmuar qytetarët që të bënin aplikimin për vizë, ata të cilët nuk kishin mundësi t’i bënin vetë, me vlerë 100-150 Euro. Nuk janë të vërteta pretendimet e Prokurorisë. Aktualisht punoj edhe si taksist për të rritur të ardhurat e mia”, ka thënë ai para trupës gjykuese.
Nga burime brenda gjykatës, gazetarja e Klan News, Glidona Daci, ka mësuar se të arrestuarit e tjerë kanë kërkuar ndjesë. Në seancë, organi i akuzës ka pretenduar se me metoda speciale, përmes stimulimit, 30-vjeçari Nasto për vizën kërkonte 10 mijë Euro. Në rast se ata nuk i kishin paratë, lidhte një kontratë me ta që pagesën ta bënin më vonë, duke pretenduar që ia kishin borxh.
Gjykata e Tiranës la në fuqi masat e sigurisë të dhëna në mungesë; “arrest në burg” për Renato Naston, Klaudio Leçinin, Klaus Kapedanin dhe Xhemal Seserin, ndërsa për Klea Priftin “arrest në shtëpi”.
Mbi 6 anëtarët e këtij grupi, njëri prej të cilëve është në kërkim, rëndon 3 akuza për “Mashtrim”, “Falsifikim i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.