Bota Stoltenberg: NATO të përgatitet për një luftë 10-vjeçare me Rusinë

Stoltenberg: NATO të përgatitet për një luftë 10-vjeçare me Rusinë

Thirrjeve të shumta në Perëndim për t’u përgatitur për një përballje të mundshme me Rusinë u bashkohet edhe numri një i NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake veriatlantike Jens Stoltenberg thotë në një intervistë për mediat gjermane se NATO duhet të bëhet gati për atë që ai e quan “përballjen e 10-vjeçarit” me Rusinë.

Stoltenberg u bën thirrje vendeve anëtare të nxisin industrinë e armatimit, të përshpejtojë ritmet e prodhimit të armëve, për të qenë gati për një konflikt të mundshëm. Sipas tij, tashmë ka kaluar koha kur kjo industri punonte me ritmet e ulëta të kohëve të paqes.

Megjithatë, sekretari Stoltenberg tha se “NATO kurrsesi nuk synon të përballet ushtarakisht me Rusinë”.

Edhe zyrtarë të tjerë të aleancës kanë paralajmëruar më herët rrezikun se nëse Rusia lejohet të pushtojë plotësisht Ukrainën, atëherë Moska nuk do të ndalet me aq dhe objektivat e radhës do të jenë vendet e aleancës në Europë, çka do të thotë Luftë e Tretë Botërore.

Ndërkohë, situata në Ukrainë po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ushtria e Vladimir Putin ka lëshuar përsëri sulme ndaj zonave civile duke lëshuar dronë në Kharkiv. Raportohet se kanë humbur jetën 7 persona, mes të cilëve 3 fëmijë. Kievi njofton se gjatë natës rrëzoi 23 nga 31 dronët e lëshuar nga Rusia. Sulmet kishin në shënjestër dy rajone të rëndësishme të Ukrainës, Odesën dhe Kharkivin.

Presidenti Volodymyr Zelensky vazhdon me rinovimin e udhëheqësve të ushtrisë pas largimit të kreut të forcave të armatosura, Valeri Zaluzhny, dhe zëvendësimit të “gjeneralit të hekurt” me “leopardin” gjeneralkolonelin Oleksandr Syrsky.

Në fjalimin e tij të zakonshëm, Zelensky emëroi shefin e ri të shtabit, gjeneralin Anatoli Bargiljeviç. Në kundërpërgjigje, Rusia nuk bën riorganizim të ushtrisë, por vëmendjen e përqëndron në prodhimin e dronëve të luftës.

Ministri i mbrojtjes, Sergej Shoigu, paralajmëroi se disa lloje të reja dronësh më të avancuar do të vijnë së shpejti.