Policia e Tiranës ka zbardhur vetëvrasjen e një vajze të re një ditë më parë, e cila u hodh nga kati i katërt i një pallati në rrugën “Teuta” në Kamëz.
Sipas policisë, 27-vjeçarja me iniciale S.A. u vetëhodh nga lartësia për shkak se i kishin publikuar një foto intime në rrjetet sociale.
E reja ishte nënë e një fëmije 2 vjeç, dhe sipas policisë, jetonte me qira në banesën e pallatit nga ku u hodh.
Lidhur me këtë ngjarje, hetuesit kanë zbardhur rrethanat dhe kanë ndaluar 39-vjeçarin me Altin Çoku për veprën penale shkaktim i vetëvrasjes pasi dyshohet se është personi që i publikoi foton intime në internet.
27-vjeçarja ishte në proces divorci me bashkëshortin nga Kosova dhe gjatë kësaj kohe ishte njohur me Altin Çoku. Gjatë kohës së njohjes mes tyre, ai i ka bërë foto 27-vjeçares në momentet e tyre intime dhe më pas kjo foto është publikuar në rrjetin social TikTok.
E ndjera i kishte kërkuar disa herë që të fshinte foton nga rrjeti social, por 39-vjeçari herë pretendonte se nuk e kishte publikuar vetë, ndërsa herë të tjera i kërkonte të vijonin lidhjen.
Dy ditë më parë, Altin Çoku fliste për shpërndarjen e fotos me një bashkëbisedues në TikTok ku shpjegonte se si një person me të cilin ishte në lokal, i kishte marrë telefonin dhe foton në fjalë, e më pas e kishte shpërndarë në rrjete sociale.
“Ka tentuar të mbysë veten, edhe unë normal kam bërë debat me gruan time. A nuk e ke parë foton që qarkullon në TikTok. Kam dalë për të pirë kafe me një shok tim në lokal, por unë telefonin e mbaj pa kod, edhe kam shkuar në banjo të lokalit, ajo goca më çon shikoje çfarë foto kemi bërë në hotel, edhe ky e ka marrë telefonin shpejt edhe ka marrë fotot. Ja u ka shpërndarë miletit, kanë hapur adresa TikToku”, është shprehur Altin Çoku.