Gazetari i njohur i “Bild, Christian Falk, ka konfirmuar se trajneri portugez, që pas shkarkimit nga Roma, ka filluar të studiojë gjuhën gjermane.
Falk njihet si një gazetar me informacione të shumta brenda klubit të Bayern Munich, dhe të gjithë mendojnë tashmë se portugezi është në kontakte me bavarezët.
Që prej largimit nga Italia, vazhdimisht publikohen lajme për të ardhmen e tij. Informacioni i fundit tregon mësimin e gjuhës gjermane si opsion për të qenë në gjendje të stërvitë Bayern Munich në të ardhmen.
Përveç uljes në stolin e një tjetër prej të mëdhenjve të Europës, Mourinho do të kishte motiv edhe më të madh për të marrë frenat e gjigantit bavarez. Pasi “pushtoi” Ligën Portugeze (Porto), Serie A (Inter), Premier League (Chelsea) dhe La Liga (Real Madrid), tani “Special One” dëshiron të plotësojë kuintetin e tij të veçantë, duke u përpjekur të fitojë Bundesligën gjermane duke trajnuar Bayern Munich.
Më tej, sipas “Bild”, nuk është hera e parë që klubi kampion gjerman shfaqet në horizontin e portugezit, pasi kishte “flirtuar” tashmë me postin e trajnerit të Bayernit në të kaluarën.
E gjitha kjo lind edhe në një moment delikat për skuadrën bavareze, pas disfatës së dhimbshme të pësuar të shtunën ndaj Leverkusenit (3-0), e cila e vendos në pikëpyetje trajnerin Thomas Tuchel.