Shkencëtarët kanë përdorur inteligjencën artificiale për të deshifruar tekstin në një rolo papirus të djegur 2000 vjet më parë. Tani inteligjenca artificiale (AI) kthehet pas në kohë duke parë drejt së ardhmes.
Më shumë se një mijë pergamenë u varrosën dhe u mbuluan nga mbetjet vullkanike kur mali i Vezuvit shpërtheu rreth 2000 vjet më parë. Ato ishin në një bibliotekë në një vilë romake në qytetin antik të Erkolanos dhe u zbuluan në vitet 1800 nga një fermer vendas.
Shumë njerëz qysh atëherë janë përpjekur të lexojnë tekstet në papiruset e lashtë, por shumica e përpjekjeve dështonte, pasi dokumentet ishin të shkatërruara. Për shekuj me radhë ishin lënë të mbështjellë nën tokë, të karbonizuar dhe të brishtë.
Fituesit – Youssef Nader, Luke Farritor dhe Julian Schilliger – e mposhtën këtë sfidë duke arritur të lexojnë katër paragafë pa i hapur asnjëherë rolotë e papirusit.
Fitimi i sfidës së Vezuvit
Ata përdorën “machine learning”, një formë të inteligjencës artificiale, për të lexuar tekstin e lashtë grek. Nadery, Farritor dhe Schillinger kontribuan në mënyrë të pavarur në komunitetin e pergamenëve të Vezuvit dhe tani ndajnë çmimin e madh prej 650,000€.
Qëllimi ishte deshifrimi i katër paragrafëve të tekstit, secili prej të paktën 140 karakteresh, me të paktën 85% të karaktereve “të rikuperueshme”, ose të lexueshme.
Pamje e papirusit të dëmtuar nga vullkani në Vezuv 2000 vjet më parë i ruajtur në Bibliotekën Kombëtare të NapolitPamje e papirusit të dëmtuar nga vullkani në Vezuv 2000 vjet më parë i ruajtur në Bibliotekën Kombëtare të Napolit
Puna e tyre ka zbuluar ato që besohet të jenë tekste të panjohura nga Philodemus, i ashtuquajturi filozofi në rezidencë të vilës.
Në tekst, Filodemi shkruan për të jetuar një jetë të mirë përmes kënaqësive të bukurisë, muzikës dhe ushqimit. Studiuesit thonë, se kjo dhe zbulimet e ardhshme në tekste do t’u japin atyre një “dritare unike në botën klasike”.
Si shkencëtarët përdorën AI për të lexuar një pergamen të Herkulaneumit
Rolotë janë “çmbështjellë” në mënyrë dixhitale duke përdorur tomografinë e kompjuterizuar (CT), ose fotot me rreze X, dhe teknologjinë ‘machine learning’.
Së pari, në fund të vitit 2023, organizatorët e çmimit fotografuan pergamenat në përshpejtuesin e grimcave të Burimit të Dritës Diamond pranë Oksfordit në Britaninë e Madhe. Kjo prodhoi skanime CT të pergamenave me rezolucion të lartë.
Skanimet më pas u shndërruan në një vëllim vokselesh 3D. Vokselet janë pikselë 3D, të ngjashëm me blloqet e ndërtimit të përdorura në lojën video Minecraft.
Hapi i dytë njihet si segmentimi. Ata gjurmuan shtresat e thërrmuara të papirusit të mbështjellë në skanimin 3D. Kjo i lejoi ata të zbërthenin, ose të rrafshonin imazhet.
Dhe hapi i tretë ishte zbulimi i bojës në papirus. Ata përdorën mësimin e makinës për të identifikuar zonat e bojës në segmentet e rrafshuara të papirusit.
Por këtu vjen pjesa më inteligjente. Modeli i ‘machine learning’ nuk ishte trajnuar për të dalluar shkronjat e lashta greke, njohjen optike të karaktereve (OCR) ose ndonjë model tjetër gjuhe. Në vend të kësaj, ai thjesht zbuloi njolla boje në skanimin CT dhe më pas kombinoi dhe rindërtoi çdo pozicion individual – dhe aty ku shfaqeshin shkronjat, aty kishte shkrim.
Dekada pune sjellin fryte
Një nga organizatorët e çmimit, Brent Seales i Universitetit të Kentakit, kishte punuar për deshifrimin e pergamenëve të Erkolanos për dekada. Seales ishte i pari që përdori skanimet CT, por zbuloi se ishte e vështirë të zbulohej boja, sepse kishte një dendësi të ngjashme me papirusin, në të cilin ishte shkruar.
Por zhvillimet fituan shpejtësi kur Seales, sipërmarrësi i Silicon Valley, Nat Friedman dhe inxhinieri Daniel Gross nisën konkursin në mars 2023.
Një zbulim erdhi brenda pak muajsh. Një ish-fizikant, Casey Handmer, vuri re një teksturë të plasaritur në tekst dhe e quajti atë kërcitje.
Bashkë-fituesi Farritor, një student në universitet dhe pjesë e një intership-i SpaceX, përdori vëzhgimin e Handmer për të trajnuar një model të ‘machine learning’ dhe deshifroi fjalën e parë të tërë greke të lashtë: ΠΟΡΦΥΡΑϹ, që do të thotë vjollcë.
Në tetor, Nader, një doktorant egjiptian në Berlin, ishte në gjendje të lexonte disa kolona teksti.
Schillinger, një student zviceran i robotikës, i cili më parë kishte fituar tre çmime për segmentimin, mundësoi hartën 3D të pergamenave të papirusit.
Por ende ka shumë për të zbuluar në vitin 2024. Sfida tjetër e Vezuvit është të lexohet një vepër e tërë ose pergamen deri në fund të vitit. /DW