Drejtësia turke ka pranuar ekstradimin në Shqipëri të Dritan Rexhepit.
Fakti është pohuar nga avokatja e Rexhepit, në procesin ndaj tij në Gjykatën e Posaçme për përfshirjen në rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës.
Sipas avokates, drejtësia turke i ka dhënë dakordësinë kërkesës për ekstradimin e tij, ndërsa pritet tashmë miratimi i ministrit të Drejtësisë së Turqisë.
Ndërkohë, burime pranë SPAK bënë me dije se ende nuk kanë një komunikim zyrtar nga autoritetet turke në lidhje me këtë çështje.
Për Dritan Rexhepin,Interpoli kishte lëshuar Kodin e Kuq, si një nga personat më të kërkuar ndërkombëtarisht, teksa në Shqipëri ai akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshi këtu vrasjen e policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi, si dhe porositjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.
Nga Italia kërkohej si kreu i një organizate të fuqishme që merrej me trafikun e kokainës nga vendet latine drejt Europës.
Dritan Rexhepi ka qenë më parë i burgosur në Ekuador, vend ku ishte i përfshirë në trafikun e kokainës.