Aktualitet Vrasja e Vajdin Lames/ GJKKO rrëzon kërkesën e SPAK për pushimin e...

Vrasja e Vajdin Lames/ GJKKO rrëzon kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve ndaj Lulzim Berishës

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e SPAK për të pushuar hetimet ndaj Lulzim Berishës, i akuzuar për vrasjen e Vajdin Lames në vitin 2005.

GJKKO vendosi kthimin e dosjes për plotësim hetimesh dhe i la kohë SPAK-ut 4 muaj afat.

Kujtojmë se Lulzim Berisha u arrestua në Spanjë në mesin e Dhjetorit 2023 për llogari të autoriteteve shqiptare.

I konsideruar si ish-kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha ka një kalvar të gjatë procesesh gjyqësore me drejtësinë shqiptare. Konkretisht në 2012 ai u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në Korrik të 2014 nga Gjykata e Lartë.

Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu, konkretisht në Dhjetor të 2016. Katër vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia.

Për të SPAK ngre akuzën e pjesëmarrjes në vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005. Sikur të mos mjaftonin këto, në vitin 2021, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për lirimin e Lulzim Berishës në 2016 dhe kërkoi rikthimin e tij në burg.

Pas arrestimit në Spanjë, Shqipëria ka nisur procedurat për ekstradimin e tij.