Aktualitet Në kërkim nga Gjermania për grabitje me armë, plagosje e pengmarrje, arrestohet...

Në kërkim nga Gjermania për grabitje me armë, plagosje e pengmarrje, arrestohet 29-vjeçari në Tiranë

Foto ilustruese

Aneo Buzi, 29 vjeç ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës këtë të diel pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania për një sërë veprash penale.

I riu, sipas Policisë, kërkohej nga autoritetet gjermane për pengmarrje, grabitje me armë, heqje të paligjshme të lirisë dhe plagosje të rëndë me dashje. Ai u kap në bulevardin “Zhan D’Ark”. Pritet të ekstradohet drejt Gjermanisë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Finalizohet nga Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Sektorin për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, dhe Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit, operacioni policor i koduar “Weekend”. I kërkuar ndërkombëtarisht për pengmarrje, grabitje me armë, heqje të paligjshme të lirisë dhe plagosje të rëndë me dashje, kapet në Tiranë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë, një 29-vjeçar.

Shërbimet e Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Sektorin për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, dhe Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën informative mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Weekend”. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në bulevardin “Zhan D’Ark”, dhe kanë arrestuar me qëllim ekstradimin, shtetasin Aneo Buzi, 29 vjeç.