Kylian Mbappe dhe Real Madrid e kanë mbyllur marrëveshjen, me palët që kanë firmosur dy javë më parë.
“Marca” raporton se me 1 korrik sulmuesi francez do të bëhet lojtar i “Los Blancos”, duke mbyllur eksperiencën me Paris Saint-Germain, pjesë e të cilit është që nga gushti i 2017-ës.
Kur Mbappe u takua me presidentin e PSG-së, Nasser Al Khelaifi të martën e kaluar për ta informuar se më 30 qershor do të largohej nga klubi, ai i kërkoi të mos i paraqiste asnjë ofertë të re rinovimi. Arsyeja ishte se ai kishte firmosur tashmë kontratën që do ta lidhte me Real Madridin për pesë sezone.
Skenari i këtij kapitulli përfundimtar në negociata është ndjekur me përpikëri si nga Real Madrid, i cili donte të shmangte çdo parregullsi minimale që mund t’i jepte PSG-së arsye për të protestuar para UEFA-s dhe FIFA-s, ashtu edhe nga lojtari, i vetëdijshëm se pas asaj që ndodhi në maj 2022, atij i duhej të ‘pajtohej’ me drejtuesit e klubit madrilen dhe mbi të gjitha me tifozët e tij.
Në ditët e para të janarit, sapo kontrata e tij hyri në gjashtë muajt e fundit, Reali kontaktoi përfaqësuesit e Mbappe për të zbuluar nëse plani i rënë dakord në maj të vitit të kaluar ishte ende në fuqi dhe nuk kishte ndryshime.
Përgjigja ishte pozitive. Kur tetë muaj më parë ai informoi me letër klubin parisien se po hiqte dorë nga vazhdimësia e bashkëpunimit që ishte opsionale në kontratën e tij, ai kishte marrë tashmë një vendim të prerë, fati i tij do të ishte Real Madrid.
Mbappe do të jetë lojtari më i paguar te Reali
Pasi “Marca” raportoi se palët kanë firmosur kontratën para dy javësh, me francezin që do të jetë pjesë e “Los Blancos” për pesë sezonet e ardhshme, së fundmi mësohet edhe sa do të fitojë sulmuesi i Paris Saint-Germain te madrilenët.
Sipas medieve spanjolle te Reali, Mbappe do të paguhet një shifër midis 15 dhe 20 milionë euro neto në vit plus bonuse të lidhura me objektivat.
Në marrëveshjen e arritur në vitin 2022 mes dy palëve, e cila ishte në pritje të nënshkrimit të lojtarit, paga e tij ishte përcaktuar mesatarisht 26 milionë euro neto. Në dy sezonet e fundit te PSG-ja pas rinovimit, Mbappe u pagua 32 milionë euro neto (72 bruto).
Kësaj shume i duhet shtuar bonusi i nënshkrimit që lojtari do të marrë për kalimin te Real Madrid me parametra zero, si kompensim për mospagimin e tarifës së transferimit.
Në këtë pikë vlen të kujtojmë se në javën e fundit të gushtit 2021, kur lojtarit i kishte mbetur edhe një sezon në kontratë, Real Madridi bëri ofertën e parë për PSG-në prej 160 milionë euro dhe pak ditë më vonë një ofertë të dytë prej 180 milionësh, por klubi parisien nuk i mori fare në konsideratë ofertat e madrilenëve, çka ka sjellë si pasojë prishjen e marrëdhënieve mes tyre.
Në marrëveshjen përfundimtare mes Mbappe dhe “Los Blancos” për vitin 2022, ata ranë dakord për një bonus nënshkrimi prej 130 milionë euro, e cila gjithashtu u reduktua në 50 milionë euro.
Megjithatë përtej reduktimeve të këtyre shifrave, nga 1 korriku Kylian Mbappe do të bëhet lojtari më i paguar te Real Madrid.