Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi ka folur për mediat për tërheqjen e projektligjit të Amnistisë Penale nga rendi i ditës të punimeve të sotme të Kuvendit të Shqipërisë.
Ai tha se votat për amnistinë i kanë solide, por sipas tij u hoq nga rendi i ditës, sepse duhet votim me konsensus të plotë. Çuçi tha më tej se, 94 vota janë gjithmonë në Parlament.
“Qëndrimin e Bashës e kishim dëgjuar dje. Ne i kemi votat solide. Ka edhe të tjerë brenda parlamentit që e votojnë amnistinë. Do shohim çdo ndodhë në ditët në vijim. Në respekt të këtij bashkëpunimi për ta votuar me konsensus të plotë, sot u tërhoqëm. 94 vota janë gjithmonë në parlament. Publiku e ka kuptuar kush e ka seriozisht, është një ligj ku përfitojnë, kur ka një grup të madh përfaqësuesish të PD-së që përfitojnë”, tha Çuçi.
Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se projektligji për amnistinë penale do të rikthehet në Parlament dhe do të votohet nga 140 deputetët. Edhe pse nuk dha një datë për rikthimin në seancë, Manja u shpreh i sigurt se deputetët do të reflektojnë.
“Të gjithë e kanë kthyer fjalën burg në fjalorin e tyre, por askush nuk kujtohet për kostot që ka mbajtja e një personi në burg. Nuk ka asnjë gjë të keqe që një njeri që është rehabilituar t’i bashkohet familjes së vet 6 muaj apo 1 vit para afatit”, tha Manja.
Ministri tha se socialistët nuk i duan me kusht votat e Lulzim Bashës, i cili një ditë më parë u tërhoq nga mbështetja e projektligjit. “Nuk dua votat e Lulzim Bashës me kusht, ose për këdo tjetër. Duam votat e deputetëve, të lexojnë ligjin. Votat janë aty në atë sallë, të jeni të bindur që do të marrë 90 vota ky ligj. 140 do të marrë, sepse ndryshe nuk do të kenë fytyrë të dalin para njerëzve. Kur shkojnë nëpër zonat elektorale dhe njerëzit u kërkojnë amnisti, u premtojnë duke iu thënë se ligjin e kanë aty. Kur vijnë në Parlament pastaj transformohen”, tha Manja.
Ai shtoi se Basha ka kërkuar amnisti vetëm për protestuesit e periudhës 2018-2020. “Vetëm për ata të vetët. Ka kërkuar amnisti për shkatërrim prone, goditje për shkak të detyrës, etj. Po për ata që protestuan më 8 janar a do të ketë amnisti?”, tha Manja.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi hodhi akuza ndaj mazhorancës, duke theksuar se Kuvendi vijon me miratimin e ligjeve në interes të tyre.
“Ju e patë sot, në rendin e ditës nuk kishte asgjë të mirë për qytetarët shqiptarë. Kuvendi nuk miraton më ligje në dobi të vendit, por në dobi të një grushti njerëzish. Për shkak se nuk arritën dot pazaret e tyre, e tërhoqën ligjin e Amnistisë Penale. Jeni të qartë se nga një projektligj humanitar ku përfitojnë qytetarët e zakonshëm që ndodhen në burg apo procedohen penalisht, është shndërruar në një ligj për të amnistuar ministra, kryetarë bashkish, zyrtarë të korruptuar të kësaj qeverie. Tentuan edhe të mashtronin opinionin publik duke ia faturuar këtë opozitës. Çështja u sqarua, sot ju patë që u tërhoqën nga projektligji që e kishin miratuar nëpër komisione në mënyrë tërësisht jo transparente. Nuk mund të ketë kurrë një votim nga ana e deputetëve të PD-së”, tha Bardhi.