Aktualitet Horror në Durrës/ Vajza vret babain dhe e varros në oborrin e...

Horror në Durrës/ Vajza vret babain dhe e varros në oborrin e shtëpisë, 19-vjeçarja: Donte të më fejonte pa dëshirë

Foto ilustruese

Një ngjarje rëndë ka ndodhur në fshatin Shënavlash i Durrësit. Një 50-vjeçar u gjet i vrarë dhe i varrosur në shtëpinë e tij, një krim për të cilin policia ka vënë në pranga të bijën. Viktima është Pëllumb Meta, ndërsa autore e dyshuar 19-vjeçarja Hygerta Meta.

Motivi

Të paktën sipas asaj që ka deklaruar vetë e reja, insistimi i të atit për ta fejuar pa dëshirë.

E gjithë ngjarja në fjalë nisi 10 ditë më parë. Ishte djali 25-vjeçar i cili trokiti në policinë e Durrësit, për të kallëzuar largimin e të atit nga banesa, pa e ditur që 50-vjeçari nuk ishte larguar asnjëherë dhe ndodhej i varrosur pikërisht brenda rrethimit të banesës së tij.

Policia thotë se 19-vjeçarja dyshohet se ekzekutoi të atin me armë zjarri e më pas e varrosi.

NJOFTIMI I POLICISE

“Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi H. M., 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi Pëllumb Meta, 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të. Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të shtetasit Pëllumb Meta, të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia. Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur.

Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së shtetasit P. M. Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, shtetasja Hygerta Meta, 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Hygerta Meta ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur. Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Trupi i shtetasit Pëllumb Meta është zhvarrosur dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.