Nëna e 20-vjeçares shqiptare Klaudia Lata, e cila humbi jetën si pasojë e përplasjes mes dy trenave në Tempi të Greqisë, kërkon vendosjen e drejtësisë për jetën e të rese. Alma Lata thotë për mediat greke se e vetmja gjë që kërkon është që përgjegjësit e tragjedisë të gjykohen dhe të shpallen fajtorë për ngjarjen e rëndë.
“Vajza ime bleu një biletë vdekjeje”, u shpreh Alma. “Ata drejtuan gishtin tek ne por nuk janë kthyer më për të na thënë se trenat janë të sigurt”, shton ajo duke shpjeguar se vajza e saj kishte frikë të përdorte autobusin dhe preferonte linjat hekurudhore sepse mendonte se ata ishin më të sigurta.
Me fjalët më të mira për vajzën e saj, shqiptarja kërkon drejtësi, njësoj si familjarët e 56 viktimave të tjera.
“Kam humbur një doktoreshë, ajo ishte e mrekullueshme, arriti shumë lart dhe nuk mund të kthehet më”, tha ajo për Klaudian. Klaudia Lata ishte në mesin e 57 viktimave që u vranë tragjikisht në tragjedi. Ajo ishte në tren duke u kthyer në shkollën e saj nga Patras, gjatë momentit që ndodhi aksidenti dhe humbi jetën.