Me emrin artistik Kim, një 25-vjeçar nga Kosova ka mahnitur me zërin e tij jurinë e sivjetshme të American Idol, por edhe me rrëfimin e tij.
Kim ka marrë pjesë në American Idol, duke bërë për vete të gjithë me zërin e tij por edhe me historinë që ka treguar. Teksa fliste për nënën që ndodhet ende në Kosovë, sytë iu mbushen me lot.
Dy vite pasi Kim lindi, nëna e tij u diagnostikua me sklerozë të shumëfishtë dhe prej atëherë, ai dhe vëllezërit e motrat e tij janë kujdesur për të.
Kim tregon se të gjithë i thonë se ka zërin e nënës së tij, por ai kurrë nuk e ka dëgjuar të këndojë.
Kimi është me origjinë nga Kosova por tani jeton në Brooklyn. Ai punon në një restorant, ndërsa në American Idol këndoi “Heal” nga Tom Odell.
“Unë nuk e kufizoj veten, mund të këndoj gjithçka. Ashtu si do të këndoja Whitney Houston”, tha ai.
Pasi mbaroi me performancën, juria i kërkoi Kim që të këndojë këngën shqip që i këndon nënës së tij dhe kështu ai filloi të këndonte “Oj Kosovë, oj nëna ime’, ndërsa ishte në lidhje live me nënën e tij. Kim ka kaluar fazën e parë të American Idol, duke u vlerësuar si një talent i madh i muzikës.
Në fakt, muzika e ndihmoi të mësonte anglishten, të cilën e mësoi vetëm gjashtë vjet më parë.
“Ishte padyshim diçka që më bëri të ndihesha i gjallë sepse kisha nevojë për të pas kaq shumë vitesh luftë, më bëri të ndihem mirë”, tha Kim pas performancës.