Politika Bardhi dhe Gjekmarkaj bashkohen edhe zyrtarisht me Berishën, Noka: Këshilli Kombëtar votoi...

Bardhi dhe Gjekmarkaj bashkohen edhe zyrtarisht me Berishën, Noka: Këshilli Kombëtar votoi pothuajse në mënyrë unanime

PD-ja e Rithemelimit e drejtuar nga Sali Berisha, pas bashkimit për aksionin në parlament me grupin e Gazment Bardhit, ka punuar që ky bashkim të përfshijë edhe strukturat e partisë. Mbledhja e Këshillit Kombëtar që u zhvillua këtë pasdite, ka sjellë ndryshime të rëndësishme që nga kupola e lartë drejtuese e partisë deri në strukturat më të ulëta.

Me ndryshimet në statutin e PD-së që ka miratuar ditën e sotme Këshilli Kombëtar, PD-së që aktualisht ka dy nënkryetarë, do i shtohet dhe dy të tjerë, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj.

Lajmin e konfirmoi deputeti demokrat, Flamur Noka në një prononcim për gazetarët pas mbledhjes së Këshillit të PD-së. Noka tha se drafti i miratuar nga Kryesia e PD-së është votuar pothuajse në mënyrë unanime nga Këshilli Kombëtar me vetëm 6 vota kundër.

“Kryesia votoi në mënyrë unanime draftin dhe ja çoi për miratim Këshillit Kombëtar që kishte vetëm 6 vota kundër dhe e votoi pothuajse në mënyrë unanime këtë proces bashkimi aq shumë të pritur. Procesi ka shkuar konform statutit pikë për pikë. Sot, në Këshillin Kombëtar janë përfaqësuesit e demokratëve. Vota vendosi këtë bashkim”, tha Noka.

Këshilli Kombëtar nuk ka votuar drejtpërdrejtë për emrat, por ndryshimet e statutit që çojnë automatikisht në Kryesi grupin “Bardhi”.

Me ndryshimet e reja, PD tanimë ka 4 nënkryetarë, Oerd Bylykbashin, Luçiano Boçin, Gazment Bardhin dhe Agron Gjekmarkaj.