Sport Bayern optimist për Xabi Alonso, Liverpuli në disavantazh për shkak të Klopp

Bayern optimist për Xabi Alonso, Liverpuli në disavantazh për shkak të Klopp

Te Bayern janë optimistë se në verë do të arrijnë që të firmosin me trajnerin e suksesshëm Xabi Alonso. Sipas Sky Sports Deutchland, një transferim në fund të sezonit është i mundshëm, por spanjolli ende nuk e ka marrë një vendim përfundimtar.

Por rekordmenët gjermanë duhet që të paguajnë nga 15-25 milionë euro për shërbimet e 42-vjeçarit, në varësi të numrit të titujve që ai fiton me Leverkusen. Sipas mediave gjermane ka optimizëm te drejtuesit bavarezë, pasi Alonso nëse vendos që të largohet nuk do të zgjedhë Liverpulin, por klubin e tyre.

Dhe kjo sepse sipas tij, trashëgimia që ka lënë Jurgen Klopp te anglezët është shumë e vështirë për tu përsëritur dhe një trajner më shumë humb se sa fiton nëse zgjedh të marrë drejtimin e “të kuqve”.

Me punën e tij te Leverkusen, spanjolli ka marrë vlerësime të mëdha. Ai ka arritur ta udhëheqë skuadrën gjermane drejt sukseseve, duke e bërë ekipin me më shumë ndeshje të pamposhtura në Bundesligë, ndërsa kryeson kampionatin me 10 pikë më shumë se sa Bayern Mynihu.

Spanjolli mori drejtimin e skuadrës gjermane në tetor të 2022 dhe kontrata i përfundon në verën e 2026-ës.