Ajo është përfolur si kandidatja që kryeministri Edi Rama do t’i dorëzojë stafetën për të hyrë në një garë që PS nuk e ka fituar kurrë përballë PD-së.
Dhe Senida Mesi, e ka lënë sot të hapur mundësinë për të sfiduar me shumë gjasë Voltana Ademin e PD-së, në garën për Bashkinë e Shkodrës, në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Ish-zv/kryeministrja, aktualisht deputete e Shkodrës ka folur gjatë inspektimit në punimet për projektin ADISA, duke i lënë derën e hapur socialistëve për ta propozuar si kandidate.
“Jemi në një proces të brendshëm të PS. PS dhe Shkodra ka kandidat potencial shumë të mirë edhe më të mirë se unë. Çdo individ, përfshirë edhe mua do të isha shumë e vlerësuar dhe e respektuar.
Sepse jo vetëm PS, por edhe qytetarët e Shkodrës do të doni që unë të isha një kandidaturë. Por le ti lemë kohën proceseve të brendshme, me qëllim që të dali një kandidaturë që jo vetëm ka votëbesimin e PS, por të kishte edhe besimin e qytetarëve të Shkodrës.
Është një vlerësim për çdo individ. Unë do bëj fushatën time për këdo PS të vendosë. Për Shkodrën është momenti i duhur për rrotacion”, u shpreh Mesi.