Dy persona mbetën të plagosur me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të marte në Shkodër. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 në afërsi të një lokali në fshatin Grudë e Re. Të plagosurit janë Gj. Ndërshtiqaj, 28 vjeç, student në Akademinë e Sigurisë, si dhe kunati i tij 30-vjeçar, Gjon Nika.
Paraprakisht, dyshohet se objektiv i këtij atentati ka qenë pikërisht ky i fundit.
Policia e Shkodrës thotë se autorët qëlluan në drejtim të Nikës dhe si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur edhe kunati i tij 28-vjeçar.
Dy të plagosurit janë dërguar në spitalin e Shkodrës dhe burime bëjnë të ditur se ata janë jashtë rrezikut për jetën.
“Rreth orës 19:30, në afërsi të një lokali në fshatin Grudë e Re, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Gjon Nika, rreth 30 vjeç. Si pasojë e të shtënave është plagosur edhe kunati i tij, shtetasi Gj. Ndërshtiqaj., 28 vjeç, student në Akademinë e Sigurisë. Të dy këta shtetas janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë, drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër. Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur disa grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe të RENEA-s, si dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit”, tha policia e Shkodrës në një njoftim paraprak për mediat.
Pak kohë pas ngjarjes, në afërsi të vendit ku ndodhi plagosja, policia gjeti një makinë në flakë e cila dyshohet se u përdor nga autorët e ngjarjes. Motivet e këtij atentati momentalisht nuk dihen.
“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, për kapjen e autorëve, në afërsi të vendit të ngjarjes, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Renault”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Pas sqarimit të rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve të para, do të ketë informacion më të detajuar për këtë rast“, shtoi policia.