Ekonomi Visa dhe Mastercard vendosin duopol të plotë mbi tregun e kartave bankare...

Visa dhe Mastercard vendosin duopol të plotë mbi tregun e kartave bankare në Shqipëri

Vitin e kaluar dy gjigantët globalë Visa dhe Mastercard dominuan plotësisht tregun e kartave bankare në Shqipëri, ndërsa American Express doli plotësisht nga tregu, së bashku me kartat e tjera të lëshuara nga subjektet lokale.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2023 numri i kartave bankare aktive arriti në 1.43 milionë, në rritje me 4.6% krahasuar me një vit më parë.

Numri i kartave të debitit arriti në 1.24 milionë, në rritje vjetore me 5%. Ky produkt ngelet dominues dhe përbën pothuajse 87% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.

Viti 2023 ishte pozitiv edhe në segmentin e kartave të kreditit. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar raportonte pothuajse 120 mijë karta krediti aktive, me një rritje vjetore prej 6.6%. Megjithëse zhvillimi i këtij produkti në tregun shqiptar ngelet ende i dobët, numri i kartave të kreditit ka arritur shifrën më të lartë historike.

Visa kryesoi tregun e kartave të pagesave në Shqipëri edhe për vitin e kaluar.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2023, bankat tregtare shqiptare kishin mbi 729 mijë karta aktive të lëshuara me markën e Visa, shifër kjo në rritje me 3.8% krahasuar me fundin e vitit 2022. Megjithatë, pjesa e tregut e Visa ka rënë në 50.9% të numrit total të kartave aktive në Shqipëri, nga 51.3% që mbante në fund të vitit 2022.

Gjigandi tjetër global i pagesave, Mastercard në fund të 2023 raportonte pothuajse 704 mijë karta aktive. Numri i kartave Mastercard është rritur, me 5.4% më shumë krahasuar me vitin 2022. Kartat e lëshuara me markën Mastercard përbënin 49.1% të numrit total të artave aktive, në rritje nga niveli prej 48.7% që zinin një vit më parë.

American Express vitin e kaluar ka dalë nga tregu shqiptar dhe sipas statistikave të bankës së Shqipërisë nuk rezultonte më asnjë kartë aktive e lëshuar në emër të saj.

Dalja nga tregu e American Express erdhi pas shkrirjes së Alpha Banka Albania, banka e fundit tregtare në Shqipëri që lëshonte ende karta të kësaj kompanie. Në dhjetor të vitit 2022, Alpha Banka Albania u bashkua ligjërisht me Bankën OTP Albania.

Edhe kartat lokale, që gjithsesi kishin qenë në shifra të papërfillshme, vitin e kaluar kanë dalë plotësisht nga tregu.

Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2023 pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në pothuajse 14.5 milionë, me një rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë. Në vlerë transaksionesh, pagesat me kartë vitin e kaluar arritën në 64.1 miliardë lekë, 26.6% më shumë krahasuar me vitin 2022.

Për vitin 2023, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 14.5% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 13.9% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë.

Pagesat me kartë po nxiten sidomos nga rritja rekord e turizmit hyrës. Kërkesa nga turistët e huaj për të paguar me kartë po shtyn një numër më të madh biznesesh të pranojnë pagesa me këto instrumente.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në fund të vitit të kaluar arriti shifrën rekord prej në 19 184, në rritje me 18.2% krahasuar me një vit më parë. /Monitor