Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu thotë se çështja e tragjedisë së Gërdecit është përdorur për 17 vite për interesa politike.
Në përfundim të seancës së sotme gjyqësore për dosjen “Gërdeci”, në të cilën ish-ministri është marrë i pandehur, Mediu tha se nuk ka asnjë fakt apo veprim të tij në atë kohë që ta implikojë në shpërdorimin e detyrës.
Sipas tij, çështja e Gërdecit përdoret prej 17 vitesh për interesa të politikës në fushata elektorale dhe është kthyer në histori mediatike. Ai kërkoi që përgjegjësi për tragjedinë duhet të mbajë edhe kompania e huaj që kishte lidhur marrëveshje për demontimin e armëve.
“Mendoj që është në shërbim të së vërtetës që unë të pyetem në fund të procesit. Pse në fund? Sepse mendoj që është mirë që gjithësecili të dijë rrethanat dhe faktet e dëshmive, por njëkohësisht edhe argumentet shkresorë. Kjo e bën më të plotë dhe më të qartë raportin tim me procesin.
Në të gjithë këto seanca gjyqësore për këdo i cili do ta mësojë të vërtetën, kanë dalë qartë që nuk ka as edhe një fjalë të vetme jo më fakt që të implikojë ministrin në shpërdorim të detyrës. Si një ministër civil ka respektuar ekspertizën ushtarake në vendimmarrjen e tyre. Ka kërkuar me urdhër që të raportohet në mënyrë periodike dhe nuk ka asnjë gërmë të vetme se atë që ndodhte në Gërdec ta cilësonte të paligjshme. Mendoj që në këto 17 vite është bërë një histori mediatike duke lozur me ndjenjat e familjarëve që kanë humbur të afërmit e tyre dhe për ta mbajtur gjallë në çdo fushatë elektorale me interesa politike.
Një kompani e cila ka një marrëdhënie juridike me Ministrinë e Mbrojtjes që ka nënshkruar akte ligjore, shikohet si një element krejt sporadik i këtij procesi. Unë mendoj që përgjegjësitë ligjore janë si të shqiptarëve dhe të kujtdo tjetër”, u shpreh Mediu.
Nga tragjedia e Gërdecit më 15 Mars 2008 ku ndodhi shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.