Italia distancohet nga deklaratat e presidentit francez Emmanuel Macron, që ka hedhur idenë e dërgimit të trupave të NATO-s në Ukrainë për të penguar Rusinë të fitojë luftën.
Për ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani, kjo do të thotë “Luftë e Tretë Botërore”, siç u shpreh në një intervistë për të përditshmen Corriere della Sera.
“Jam i mendimit që NATO nuk duhet të hyjë në Ukrainë. Do të ishte gabim. Ta ndihmojmë Ukrainën të mbrohet, por të hysh në këtë vend dhe t’i shpallësh Rusisë luftë, kjo do të thotë të rrezikosh Luftën e Tretë Botërore”, theksoi Tajani.
Ky propozim ka ndarë më dysh aleancën. Dërgimi i ushtarëve në Ukrainë që nuk pranohet nga vendet aleate perëndimore, mbështetet nga ato lindore që janë më afër zonës së konfliktit.
Ministrja e Jashtme e Finlandës, e cila së shpejti do të ketë në kufi ushtrinë ruse pas anëtarësimit të këtij vendi në NATO, thotë se kjo mundësi nuk duhet përjashtuar pasi nuk i dihet se sa e rrezikshme mund të bëhet situata.
Presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëroi më herët se hyrja ushtarëve të NATO-s në Ukrainë do të marrë të njëjtën kundërpërgjigje si të ishte sulmuar Rusia.