Sport Mungojnë Gjasula, Daku dhe Muja, Sylvinho shpjegon listën: Askush nuk është jashtë,...

Mungojnë Gjasula, Daku dhe Muja, Sylvinho shpjegon listën: Askush nuk është jashtë, por dua të shoh të rinj

Me 26 futbollistët e grumbulluar, trajneri i kombëtares Sylvinho e konsideron skuadrën të plotë dhe në ekuilibër. Tekniku ka vlerësuar rolet e tyre dhe aftësitë për të mbuluar role të ndryshme gjatë zhvillimit të ndeshjes. Kështu e shpjegon ai praninë e shumë futbollistëve në mbrojtje dhe sulm në raport me mesfushën.

“Sa i përket ekuilibrit të skuadrës, jam i kënaqur. Edhe ana ofensive dhe mbrojtëse, kemi mbyllur një kualifikuese të rëndësishme si mbrojtja më e mirë, jam i kënaqur nga mbrojtësit, mesfushorët, por edhe sulmuesit, se mbrojnë të gjithë, për ekuilibrin”, u shpreh Sylvinho.

Mungojnë Gjasula, Daku dhe Muja, por trajneri pranon se ka nevojë të provojë lojtarë të tjerë.

“Janë lojtarë të rëndësishëm, janë në konsideratë. Janë pjesë e planeve, por duhet të shohim lojtarë si Manaj që vjen për herë të parë e Broja për të dytën, apo Hoxha të cilin ne e ndjekim prej tre muajsh. Vëzhgimi nuk është i lehtë. Nuk cilësohen më miqësore, të dy skuadrat janë shumë të forta, Kili ka lojtarë të rëndësishëm, është shkollë futbolli teknike. Nuk ka miqësore, e dimë që duhet të luajmë në nivel më të lartë se përballë ka nivel më të lartë, duhet ta provojmë dhe të përmirësohemi”, u shpreh Sylvinho.

Futbollistët e parë do ti bashkohen skuadrës këtë të diel ndërsa ekipi do të plotësohet të hënën kur do të nisin zyrtarisht përgatitjet për sfidat miqësore me Kilin dhe Suedinë.