Teksa në Xhibuti i fshinë të gjitha materialet filmike, në Asmara, kryeqytetin e Eritreas, udhëtimi i Blendi Fevziut pati kufizime të mëdha lidhur me komunikimin. Si fillim, gazetari tregon për “Rudina” se këshillat e para që i dhanë ishte të mos fliste për lidhje me Amerikën apo të thoshte që ishte gazetar.
Blendi Fevziu: Në Asmara pata historinë më të bukur sepse personi që më kishte nxjerrë, që më kishte rregulluar gjithçka, në momentin që pata probleme në Xhibuti, u futa të shihja çfarë problemesh kisha me Eritrean dhe pyeta një mikun tim, një person shumë i njohur që ka qenë dhe më tha “e para s’duhet të thuash që ke ndonjë njohje me amerikanët ose ndonjë lidhje me Amerikën dhe e dyta s’duhet të thuash kurrë që je gazetar se do kesh probleme të mëdha”.
Ndryshe nga Korea e Veriut e cila ka një rrjet të brendshëm dhe lejon hyrjen e disa mediave prestigjioze, Eritrea është tërësisht e izoluar. Bashkë me Turkmenistanin, këto tre vende janë tre më të izoluarat në botë. Udhëtimi i Fevziut vijoi në kërkim të një mënyre për të komunikuar me familjen dhe duke dëgjuar fakte të habitshme rreth kryeqytetit të një prej vendeve më të izoluara të botës.
Blendi Fevziu: Unë i shkruajta personit dhe i thashë a ka ndonjë problem se jam gazetar dhe përgjigjja e tij ishte shumë shokuese, erdhi me shumë vonesë se nuk e kuptoja që ata s’kishin internet, këtë nuk e mendoja kurrë se edhe në Kuba kam gjetur internet, këtë nuk e mendoja kurrë. Më vjen një përgjigje që thotë “ti nuk je gazetar, unë s’do ndihmoja kurrë një gazetar, ti je një mik i Afrikës që unë të pres me kënaqësi” dhe e kuptova kodin që mos thuaj që jam gazetar. Në momentin që mbërrita tha “sistemi nuk na punon, do të të japim një lejekalim të përkohshëm që të hysh dhe do vish ta marrësh vizën nesër”. Hyra, në atë moment më mori personi, i thashë të lutem mund të më japësh pak ‘hotspot’ të lajmëroj familjen që arrita? “Çfarë është hotspoti?”, tha. Interneti i thashë. “Neve s’na lejohet interneti në celular”, tha. Po si ia bëni për internet? “Për internetin duhet të shkosh te posta qendrore, të të japin një ‘voucher’, të qëndrosh aty 15 minuta dhe ai internet që jepnin ishte vetëm për email sepse nuk lejohej WhatsApp-i, nuk lejohej Instagram, nuk lejohej Youtube, Facebook…”
Rudina Magjistari: Google.
Blendi Fevziu: Nuk pyeta, por me siguri nuk lejohej edhe Google. I thashë po të bëj një telefonatë? “S’lejohen telefonatat me jashtë, janë të ndaluara telefonatat me jashtë”. Në hotel i thashë mund të paguaj me kartë krediti? “Jo”, tha, “nuk ekzistojnë kartat e kreditit, nuk njihen, nuk kemi sistem, ne nuk jemi në sistemin ndërkombëtar”, tha “jemi sistem i izoluar më vete”. Ngela. I thashë po për të udhëtuar? Tha “jo s’udhëtojmë dot, s’kemi pasaporta”. Po pse s’keni pasaporta? Tha “se jemi në luftë prej 30 vitesh me Etiopinë dhe po të plasë lufta, mos të na gjejë jashtë”. S’kishin semaforë. Semaforët e fundit ishin vendosur nga etiopianët në vitet ‘80 dhe kishin ngelur nja tre relike. I thashë po semaforët ç’keni, pse? Tha që “shoferët të jenë më të përgjegjshëm, nuk vëmë semaforë”, në fakt nuk i mirëmbanin dot, ishin prishur semaforët e vjetër etiopianë. Shkova në hotel, në hotel ditën e parë ishin dy klientë, ditën e dytë isha vetëm unë.