Me dy truproja në patrullim të përhershëm jashtë zyrës së tij, kryeprokurori Kreshnik Ajazi na tregon se pse bandat shqiptare të drogës që ai synon t’i fusë pas hekurave të burgut janë kaq të pamëshirshme.
“Në Shqipëri kemi një traditë – hakmarrjen”.
Një gjurmë vrasjesh mes bandave që luftojnë për të kontrolluar tregun e drogës në Mbretërinë e Bashkuar janë dëshmi se ajo që po tregon ai, është e vërtetë!
Vjedhja e 50 kilogramëve kokainë në Angli shkaktoi një sërë sulmesh në Shqipëri, duke shkaktuar edhe vrasjen e 3 burrave që u qëlluan në Range Rover me AK-47. Edhe një tregtar, i cili u dënua për vrasjen e një rivali në Southampton, u vra brenda një burgu të sigurisë së lartë (burgu i Peqinit), si pjesë e një hakmarrje që kushtoi një milion euro. Ndërsa MET po heton një tjetër vrasje të një shqiptari në Londër, The Sun udhëtoi për në vendin ish-komunist për të hetuar bandat kriminale që kanë baza në Mbretërinë e Bashkuar.
Ajazi i ka kushtuar jetën shkatërrimit të këtyre bandave – por kjo ka një çmim të rëndë.
Goditja aty ku dhemb
Kërcënimet për jetën e tij nënkuptojnë se rojet e armatosura nuk i largohen kurrë, 28 kamera sigurie i ka të fiksuara në pjesën e jashtme të ndërtesës së zyrës së tij në qytetin e Elbasanit dhe gruaja e tij pyet veten se kur do të marrë nisë një punë për të ndjekur penalisht “kriminelët normalë”. Por ai është shumë i zënë për t’u shqetësuar.
“Këto mosmarrëveshje mes bandave janë krijuar në Angli, por hakmarrja ndodh në qytetin tonë. Kur u bëra kryeprokuror, qëllimi im ishte të sfidoja ato banda, gjë që ne e kemi bërë. Kjo do të thotë se unë tani shoqërohem në çdo minutë të jetës sime nga një eskortë speciale nga Policia e Shtetit, e cila dëshmon se në çfarë lloj rreziku jam. Por ia ka vlejtur.”
Falë punës së tij dhe të Policisë së Shtetit, shkalla e vrasjeve të lidhura me bandat ka rënë nga 15 në zero. Por edhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është po aq e vendosur për të luftuar bandat shqiptare të krimit të organizuar. Agjencia Kombëtare e Krimit muajin e kaluar nënshkroi një marrëveshje me Policinë shqiptare për të sfiduar kriminelët që kontrollojnë tregun e kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar.
Rreth 1,700 anëtarë të bandave mendohet se janë të lirë në Britaninë e Madhe. Përveç përpjekjes për të arrestuar drejtuesit e bandave, Policia po i godet aty ku dhemb – në xhepat e tyre. Një Lamborghini e regjistruar në Britani ku ishte blerë për 200,000 £ tani është sekuestruar dhe po përdoret si makinë patrullimi.
Problemi është se në Shqipëri hakmarrja është traditë, ndaj nuk mund të parashikojmë se çfarë do të ndodhë. Kur Lamborghini i Policisë t’u kalojë pranë, mund të shkaktoj ënjë buzëqeshje, por rastet e tjera me të cilat duhet të merret Policia nuk janë për të qeshur. Bandat e krimit të organizuar janë të ngjashme me mafian. Kjo do të thotë se ata i marrin mosmarrëveshjet personalisht.
Në vitin 2018, një ngarkesë prej 50 kilogramësh kokainë – me një vlerë tregu prej dhjetëra milionë paundësh – u zhduk në Angli.
Banda që priste dorëzimin e saj dyshoi për korrierin, kështu që e rrahën dhe e hodhën në një vend të largët, duke menduar se këdo që ai kishte lajmëruar për të vjedhur drogën do t’i vinte në ndihmë. Ata e ruajtën për ta parë se kush do ta merrte – dhe ashtu e mësuan se cila familje qëndronte pas vjedhjes, nga aty filluan vrasjet. Menjëherë pas ngjarjes, Endrit Alibej, 34 vjeç, po largohej me makinë nga një darkë familjare në Elbasan bashkë me dajën e tij Arben Dylgjeri, 56 vjeç dhe një mik turk. Ndërsa ata ngadalësuan në një rrethrrotullim, një person i armatosur me një AK-47 i goditi, duke u marrë jetën të treve.
Familja e Alibej nuk humbi kohë për t’u hakmarrë dhe vrasjet vazhduan për dy vjet, duke marrë gjithsej 8 jetë. Ajazi tha se sulmet në lidhje me atë mosmarrëveshje kanë përfunduar – tani për tani.
“Le të themi se ata janë aktualisht në “pushim”. Problemi është se në Shqipëri hakmarrja është traditë, kështu që nuk mund të parashikojmë se çfarë do të ndodhë.”
Në vitin 2013, tregtari shqiptar i drogës Arben Lleshi, 27 vjeç, u burgos me burgim të përjetshëm në Winchester Crown Court për vrasjen e një rivali në Southampton, të cilit i dogji edhe trupin. Ai u ekstradua për të vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit. Në fund të vitit të kaluar, banda e viktimës së tij filloi të planifikonte hakmarrjen. Ata shpenzuan rreth një milion euro për t’i dhënë ryshfet zyrtarëve të burgut për të kontrabanduar një “Smith dhe Ëesson”, armë 9 mm në burg dhe për të paguar një vrasës me pagesë.
Arma iu dorëzua vrasësit në mes të nëntorit dhe ai e mbajti të fshehur për tre javë para se të shkonte në qelinë e Lleshit 10 ditë para Krishtlindjeve.
“Ai e ftoi viktimën për të folur. I tha: ‘A mund të bëjmë një bisedë?’ Dhe në këtë moment, ai nxori armën dhe e qëlloi dhe e vrau”.
E gjithë struktura komanduese e burgut është arrestuar – 12 oficerë gjithsej – me dyshimin se kanë marrë ryshfet.
Po ashtu, edhe në Britani, një shqiptar u vra me thikë në Londrën Veriore muajin e kaluar, e tani MET po heton një tjetër vrasje të një shqiptari.
Rreth orës 17:30 të së hënës, më 11 mars, një makinë e bardhë Kia u pa duke u kthyer mbrapsht në një rrugë në Greenford, në Londrën Perëndimore, pak minuta më pas, një nga pasagjerët doli nga makina. Pak çaste më vonë Bajram Luli, 27 vjeç, doli nga mjeti i tij me një plagë thike në stomak.
U thirrën policët dhe mjekët, por ata nuk mundën ta shpëtonin. Bajrami sapo ishte zhvendosur në Britaninë e Madhe nga Shqipëria. Motivi i vrasjes së tij nuk është zbuluar por dyshohet se ai ishte i përfshirë në ndonjë krim. Por Policia dhe kryeprokurori Ajazi shpresojnë që këto dy raste të fundit të mos jenë fillimi i një tjetër gjakmarrjeje.
Nga ana tjetër edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka pasur një sërë takimesh me ministra të Mbretërisë së Bashkuar për të hedhur ide se si të ndalohen bandat.
“Mesazhi im për bandat e krimit të organizuar është – koha e pandëshkueshmërisë ka mbaruar. Ne po bëjmë një fushatë kundër të arratisurve.”
Teksa fliste, celulari i tij u mbush me më shumë lajme të mira – një mesazh që zbulonte datën që një vrasës i kërkuar që kishte qenë në arrati jashtë vendit më në fund do të kthehej në vend për t’u përballur me drejtësinë. Lufta e Shqipërisë kundër krimit është një luftë e gjatë, e vështirë. Por me ndihmën e Policisë britanike, ata më në fund po korrin shpërblime./The Sun