Rusia dështoi të enjte në përpjekjen për një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohej rreth fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, që i dhanë fund luftës në Kosovë.
Pas dështimit të së hënës për një seancë të tillë, mbajtja e së cilës u pamundësua meqë 12 vende anëtare nuk votuan për kërkesën e Moskës, Rusia sërish shtroi kërkesë për debat me temën “ruajtja e paqes dhe qëndrueshmërisë ndërkombëtare”. Kësaj radhe ishin 9 vende anëtare që nuk votuan në favor të debatit.
Mbajtja e një debati kërkon votë procedurale dhe për t’u miratuar rendi i duhet mbështetja e 9 nga 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit.
Ambasadori francez Nicolas de Riviere, tha të enjten se Këshilli i Sigurimit “është këtu për të debatuar krizat aktuale por nuk është forum për debate historike”.
Përfaqësuesi rus, Dmitry Polyanskiy, tha se Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuara “nuk duan të diskutojnë agresionin ndaj ish Jugosllavisë”, ndërsa përsëriti se “situata në Kosovë po përkeqësohet”. Ai kundërshtoi ndërkaq rekomandimin e një dite më parë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Më herët gjatë ditës ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, u tha medieve serbe se Rusia nuk e ka miratuar planin e punës së Këshillit të Sigurimit për muajin prill, kështu që Serbia tani po hyn në mes të përplasjeve të fuqive të mëdha, “gjë që nuk ishte qëllimi ynë”.
Të hënën, përfaqësuesi amerikan në OKB, Robert Wood, akuzoi Rusinë se po përpiqet të shfrytëzojë përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, për të shpërndarë propagandën e saj dhe për të nxitur tensionet rajonale në Ballkanin Perëndimor.
Ai ritheksoi qëndrimin amerikan se ndërhyrja ishte një veprim “i domosdoshëm dhe i ligjshëm për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë”.
Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore, ndërsa Serbia e mbështetur nga Rusia kundërshton shtetësinë e saj. Ndonëse e ka shpallur anëtarësimin në Bashkimin Evropian si aspiratë të saj, Serbia ruan lidhje të ngushta me Moskën dhe nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër saj për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj pretendimeve të Beogradit mbi Kosovën.
Vitin e kaluar Serbia u pajtua më një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e cila parasheh që Prishtina t’u jap më shumë autonomi serbëve të Kosovës, ndërsa Beogradi të njohë “de facto” pavarësinë e saj.
Por, Beogradi tha se nuk do të zbatojë asgjë që çon në njohjen e Kosovës dhe të mërkurën votoi kundër rekomandimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Vuçiç: Ditë të vështira për Serbinë
Një ditë para votimit presidenti serb Aleksandar Vuçiç, shkroi në rrjetet sociale se Serbinë e presin ditë të vështira.
“Në këtë moment nuk është e lehtë të thuhet se çfarë lajmesh kemi marrë në 48 orët e fundit… Ato kërcënojnë drejtpërdrejt interesat tona jetike kombëtare, si të Serbisë ashtu edhe të Republikës Serbe (në Bosnje). Në ditët në vijim do ta informoj popullin e Serbisë për të gjitha sfidat që na presin”, shkroi ai më 26 mars, por pa dhënë ndonjë hollësi tjetër.
Të enjten, ai paralajmëroi se gjatë 48 orëve në vijim do të flasë më hollësisht rreth pohimeve të tij, duke ritheksuar se “situata është tepër e ndërlikuar” dhe kërkon shpjegim thelbësor.
Nuk është hera e parë që presidenti serb flet për “ditë të vështira” dhe vëzhguesit e pavarur në Serbi thonë se kjo përsëritet sa herë që ai pret trysni për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Kosovën.
Javën që vjen Kosova dhe Serbia pritet të diskutojnë për të tretën herë me radhë lidhur me një vendim të Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb për pagesa të gatshme në vend. Vendimi që e vuri Kosovën nën trysninë e diplomatëve perëndimorë që kërkojnë shtyrjen e zbatimit, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit.
Paralajmërimi i paqartë i presidentit Vuçiç u bë po ashtu pasi Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjën Christian Shmidt, njoftoi ndryshime në procesin zgjedhor në Bosnje dhe Hercegovinë. Njoftimi që u mbështet nga Shtetet e Bashkuara, u kundërshtua nga Milorad Dodik, udhëheqës i Republikës Serbe, i cili kërkoi të enjten që brenda 7 ditësh të anulohen vendimet e zotit Shmidt, “në të kundërtën përfaqësuesit e Republikës Serbe do të braktisin institucionet vendimmarrëse të Bosnjës e Hercegovinës” dhe nuk do të kthehen më.
Milorad Dodiku, një politikan pro rus, i cili më parë ka bërë thirrje për një shkëputjen e entitetit të tij dhe bashkimin me Serbinë, është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Të mërkurën ai u takua me presidentin serb Vuçiç për të diskutuar planet e një Kuvendi gjithserb të planifikuar për Pashkët ortodokse. Presidenti Vuçiç tha se “po përgatiten një sërë vendimesh të rëndësishme dhe të dobishme për popullin tonë”./VOA