Pesë projektligjet e votuara në seancën parlamentare të 7 marsit, ku edhe pse nuk u plotësua kuorumi, nënkryetarja Ermonela Felaj vazhdoi me votimin, do të rikthehen në Kuvend për t’u votuar sërish.
Kjo, pasi në mbledhjen e sotme të Sekretariatit të Etikës është vendosur me votat e demokratëve të Rithemelimit dhe socialistëve që seanca e 7 marsit të anulohet, sepse Felaj ka lejuar votimin e ligjeve me 68 deputetë të pranishëm.
Një nga projektligjet në këtë votim të datës 7 mars ishte zgjatja e afatit për investimet strategjike duke e çuar deri në fund të dhjetorit të këtij viti.
Felaj më 7 mars e mbrojti vendimin e saj, ndërsa sot socialistët u tërhoqën pas marrëveshjes politike që kanë arritur me demokratët e Rithemelimit.
Më 7 mars demokratët ishin në protestë teksa socialistët votonin në shkelje të rregullores. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi më pas nënkryetaren Ermonela Felaj se po kalonte ligjet në shkelje të rregullores, pasi në parlament mungonte kuorumi.
Ndërkohë, pas vendimit të sotëm për mediat foli deputeti demokrat Saimir Korreshi, i cili nuk e fshehu entuziazmin për vendimin e Sekretarit të Etikës.
“Me konsensus të 4 anëtarëve, të 4 kanë votuar pro anulimit të votimit të 5 projektligjeve të datës 7 mars. Pretendimi ynë gjeti mbështetje. Sot është një fitore e vogël në dukje, por arroganca se si janë bërë këto votime gjatë gjithë kohës do verifikojmë gjithë votimet e tjera gjatë kohës që kemi qenë në aksionin opozitar. Besoj se do jenë në seancën e radhës, kalojnë për votim në seancën e radhës sipas rregullores. I mbetet kuvendit ta caktojë. Nuk mund të ketë në kuvend egoizëm të tillë nga drejtuesit e seancës të bëjnë atë lloj votimi pa kuorum në sallë”, tha Korreshi.