Politika U pështy në fytyrë nga një mbështetës i Belerit në mbledhjen e...

U pështy në fytyrë nga një mbështetës i Belerit në mbledhjen e këshillit bashkiak të Himarës, reagon Vangjel Tavo

Zgjedhja me 15 vota e Blerina Balës si drejtuese e përkohshme e Bashkisë së Himarës, në një kohë kur pas hekurave ndodhen Jorgo Goro dhe Fredi Beleri, për Prefektin e Vlorës, Vangjel Tavo, është konform ligjit.

I pyetur nga gazetarët pas procesit të votimit në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Tavo tha se në kushtet kur kryebashkiaku i zgjedhur është dënuar nga drejtësia, Himara nuk mund të lihej e pa qeverisur.

“Unë di të interpretoj ligjin dhe ligji thotë që në kushtet e krijuara që kandidati tashmë kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës është para drejtësisë, Himara nuk mund të lihet pa u qeverisur, ndaj në këto kushte zbatojmë pikë për pikë ligjin për qeverisjen vendore. Këtu nuk flitet me emocione, as ngarkesa politike por me referenca ligjore. Unë jam Prefekt dhe do ta zbatoj ligjin deri në fund. Do pres çdo qytetar për ta dëgjuar shqetësimin e tij dhe për ta zgjidhur brenda kompetencave që më jep ligji.”

Tavo reagoi edhe për incidentin e ndodhur në nisje të mbledhjes paraditen e sotme, ku prezenca e tij u kontestua nga mbështetës të Belerit dhe madje një prej tyre e pështyu në fytyrë.

Ai tha se e fton edhe atë pakicë që e kundërshtoi sot që të bashkëpunojnë pavarësisht ndasive politike dhe të gjithë bashkë të marrin seriozisht zgjidhjen e problemeve të Himarës.

“Nëse komuniteti i Himarës, që ju e quani një pjesë aq të vogël sa ç’ishte në takimin e sotëm që kishte kundërshtim. Logjika ime është që edhe ata të bëhen pjesë e kësaj motos time, për t’u bashkuar, për të bashkëpunuar, për ti lënë mënjanë ndasitë politike për qeverisjen lokale që kanë krijuar këtë vorbull në këtë gotë prej kohësh dhe të merremi të gjithë bashke seriozisht me problemet e Himarës dhe himarjotëve. Janë të pranueshëm të gjithë në këtë iniciativë që nis të martën dhe që do të përfundojë atëherë kur përfundon edhe misioni im.”