Barometri në Euronews Albania ka sjellë këtë të premte mendimin e qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, për çështjen e Bashkimit Kombëtar.
Qytetarët në Kosovë dhe në Shqipëri, në shumicë, janë shprehur për Barometrin se do të votonin pro nëse do të mbahej një referendum për Bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.
Përkatësisht, janë 82,9% e të pyeturve në Shqipëri që do të votonin pro një referendumi të mundshëm, dhe në Kosovë pak më pak, në nivelin e 70,6 % e të pyeturve janë ata që do të votonin pro në një referendum për bashkimin.
Një përqindje shumë e vogël si në Kosovë edhe në Shqipëri është shprehur se do të votonte kundër në një referendum të tillë, përkatësisht 12,7 % e të pyeturve në Shqipëri, dhe 24,2 % në Kosovë.
Në këtë studim të realizuar për herë të parë në të dy vendet mes 2065 të pyeturve ballë për ballë, në të dyja vendet, qytetarët shqiptarë janë vendosur përballë pyetjeve që kanë të bëjnë me dëshirën e tyre për bashkimin kombëtar dhe gjithçka që ka të bëjë me të.
Nga të dhënat e bëra publike në Barometri del qartë se Bashkimin Kombëtar e dëshirojnë në një përqindje më të lartë shqiptarët e Shqipërisë në krahasim me shqiptarët e Kosovës.
Të pyetur për “Bashkimin Kombëtar”, qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë janë vendosur edhe përballë pyetjes “sa të mundur e shohin ata një gjë të tillë”.
Ajo çfarë bie në sy nga përqindjet e përgjigjeve të shqiptarëve në të dyja vendet është se, ndryshe nga pyetja “sa e dëshirojnë ata bashkimin midis dy shteteve shqiptare”, ku shqiptarët e Shqipërisë ishin në përqindje më të lartë, të pyetur sa të mundur e shohin, janë qytetarët e Kosovës ata që e shohin më të mundur.
Pyetjes “pavarësisht çfarë dëshironi ju, sa mendoni se është i mundur Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm”, i janë përgjigjur “i mundur” 53,9 % e qytetarëve të pyetur në Kosovë dhe 31,9 % e qytetarëve të pyetur në Shqipëri.
“Jo të mundur” e shohin 37,5 % e qytetarëve në Shqipëri, dhe 26,7 % e të pyeturve në Kosovë e shohin “jo të mundur” bashkimin.
Ne pyetjen “pavarësisht rrethanave dhe mundësive ju personalisht sa e dëshironi Bashkimin Kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë?”, 73.6 % e të pyeturve në Shqipëri përgjigjen “e dëshiroj”, ndërsa ata që e dëshirojnë në Kosovë janë 55, 4 % e të pyeturve nga Data Centrum.
Në të gjitha pyetjet për Bashkimin Kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës, një tjetër pyetje e rëndësishme e studimit të Barometrit, ishte edhe pyetja hipotetike “nëse qytetarët do të paguanin një taksë për bashkimin nëse kjo do t’ju kërkohej për të përshpejtuar këtë proces”.
Ajo çfarë duket qartë nga të dhënat është se qytetarët e Kosovës që janë dakord ta paguajnë një taksë për bashkimin janë 53,8 % e të pyeturve dhe në Shqipëri ata që janë të gatshëm për të paguar një taksë janë më pak 46,2 % e të pyeturve.
Ata që nuk janë dakord të paguajnë një taksë për të përshpejtuar bashkimin e dy shteteve në Shqipëri dhe në Kosovë janë përkatësisht 31,8 % në Shqipëri dhe 30,9 % e të pyeturve në Kosovë.