Bota Statuja e Lirisë “dridhet” nga tërmeti i rrallë që tronditi Nju Jorkun...

Statuja e Lirisë “dridhet” nga tërmeti i rrallë që tronditi Nju Jorkun (VIDEO)

Dita e sotme ka qenë një ditë e pazakontë për banorët e Nju Jorkut, pasi si rrallë ndonjëherë, u ndjenë lëkundje tërmeti.

Banorët e pjesës verilindore të vendit njoftuan se i kishin përjetuar lëkundjet e tërmetit me një magnitudë paraprake 4.7.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se epiqendra e tërmetit ishte pranë qytetit të Libanit në shtetin e Nju Xhersit, rreth 72 kilometra nga qyteti i Nju Jorkut dhe 80 kilometra nga qyteti i Filadefias në veri.

Departamenti i Zjarrfikësve në Nju Jork tha se njoftimet paraprake nuk tregojnë për dëmtime.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, është informuar për tërmetin, tha zëdhënësi i tij Fabien Levy, duke shtuar se, “ndërsa për momentin nuk kemi asnjë njoftim për ndikime të mëdha, jemi ende duke vlerësuar efektet”.

Në pjesën qendrore të Manhatanit, zhurma e trafikut të makinave dhe njerëzve u bë edhe më e zëshme, ndërsa shoferët u binin borive në rrugët që dridheshin nga lëkundjet e tërmetit.

Disa banorë të Bruklinit thanë se dëgjuan një tingull të zhurmshëm ndërsa ndërtesa e tyre dridhej. Njerëzit në Baltimorë, Filadelfia, Konektikat dhe zona të tjera të Bregut Lindor, të pamësuar me tërmetet, gjithashtu raportuan se kishin ndjerë lëkundjen e tokës.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, shkroi në rrjetin X se tërmeti u ndje në të gjithë shtetin. “Ekipi im po vlerëson efektet dhe çdo dëm që mund të ketë ndodhur, dhe ne do ta informojmë publikun gjatë gjithë ditës”, tha zonja Hochul.

Lëkundjet të kujtojnë tërmetin e 23 gushtit të vitit 2011 që tronditi dhjetëra miliona njerëz nga Xhorxhia në Kanada. Tërmeti i vitit 2011 me magnitudë 5.8 dhe epiqendër në Virxhinia është më i forti që ka goditur Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara që nga Lufta e Dytë Botërore.

Tërmeti shkaktoi të çara në monumentin e Uashingtonit dhe nxiti evakuimin e Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit, duke tronditur njujorkezët tre javë përpara 10 vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Një video është publikuar edhe nga Statuja e Lirisë e cila lëkundet si pasojë e dridhjeve të tokës.