Kingsley Coman zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm që Bayerni i Mynihut të dilte me 3 pikë nga transferta e mbrëmjes së sotme përballë Augsburgut.
Ylli francez shënoi dy herë në pjesën e parë, duke rivendosur në të dy rastet baraspeshën pas golave të vendasve, ndërsa austriaku Alaba gjeti golin e fitores në pjesën e dytë, duke vulosur rezultatin 2-3 për bavarezët.
Me këtë triumf, Bayerni merr një tjetër 3-pikësh të vyer dhe shkon vetëm dy pikë larg kreut, duke shtuar presionin ndaj Borussias së Dortmundit, që do të luajë në transfertë përballë vendit të fundit, Nurnbergut.
Tani trajneri i bavarezëve do të mund të përgatisë i qetë sfidën përballë Liverpoolit në “Anfield Road”, që do të luhet më datën 19 Shkurt, në kuadër të fazës së 1/8-ave të Ligës së Kampionëve.